Gazetar: Emir Hamzai
“Fshesa” e paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, si duket ka futur ne ‘ankth’ partnerin e koalicionit, BDI-në. Edhe pse ende nuk kanë filluar ndryshimet në strukturat e Qeverisë, zyrtarë të BDI-së, vlerësojnë se partia e tyre nuk është material për “fshesë” dhe se për kuadrin e tyre në qeveri, pyetet vetëm BDI-ja. Nuk dihet nëse “fshesa” e kryeministrit mund të jetë vetëm në aspektin verbal, me qëllim për tu prezantuar i përgjegjshëm apo në të vërtetë kuadri i ardhshëm do t’i paraprijë ndryshimeve, kështu thonë për portalin “Gjurmë” ish-nënkryetari i Maqedonisë, Besim Dogani dhe opinionisti për çështje politike, Xhenis Sulimani.
“Kam drojën që e ashtuquajtura “fshesë” e Zaevit në fund do të rezultojë vetëm edhe si një përpjekje verbale dhe mediale e kryeministrit për t’u shfaqur para opinionit më të gjerë si një politikan i përgjegjshëm i cili është i gatshëm të tejkalojë interesat partiake dhe të koalicionit qeverisës në favor të përparimit të përgjithshëm të vendit. Këtë tezë e mbështes në atë se gjatë këtyre dy vite qeverisje kryeministri Zaev u dëshmua vetëm si një zëvendësim i ish-kryeministrit Gruevski, duke vazhduar praktikat e nepotizmit, favorizimit të politikave partiake, tolerancës së tepërt për kuadrot e paafta në krye të ministrive të vendit në favor të rruajtjes së shumicës qeverisëse, duke mbyllur sytë ndaj hakmarrjes politike të ministrave të BDI ndaj komunave të udhëhequra nga opozita, punës së papërgjegjshme dhe harxhimeve të pakontrolluara të kryetarëve të komunave të udhëhequr nga kuadro të LSDM-BDI dhe shumë e shumë të tjera”, thekson Dogani.
Ai më tej shton se Zaev do të vazhdojë fillimin e zhvlerësimit të vet politik duke i bërë favore dhe lëshime BDI-së për të ruajtur paqen brenda koalicionit qeverisës, duke dëmtuar në këtë mënyrë shumicën e votuesve shqiptar të cilit i thanë një ‘JO’ të qartë vazhdimit të BDI-së në qeverisje.
Nga ana tjetër edhe Xhenis Sulimani thotë se ndryshimet kadrovike në qeveri nuk duhet t’i paraprijnë ngjyrimeve partiake, por ato duhet të pasojnë për rrjedhojë si ndryshime me
vend dhe nga një kuadër i mirëfilltë.
“Rezultatet e zgjedhjeve të fundit, presidenciale, kryeministrit Zaev ia imponojnë ndryshimet kadrovike, si në partinë e tij ashtu edhe në përbërjen qeveritare. Nuk i kisha dhënë ngjyrë partiake ndryshimeve që duhet të pasojnë. Mendoj, e rendit është që kuadri i
mirëfilltë t’i paraprijë ndryshimeve. Partitë, secila më vete i njeh kuadrot e veta. Andaj, për të dëshmuar seriozitet dhe sinqeritet në politikë duhet të ofrojnë kuadro që garantojnë perspektivë. Fatkeqësisht BDI ka çaluar në këtë drejtim. Megjithatë, kur jemi te fshesa, në kuptimin figurativ, shpresoj të kryej funksionin primar, të pastrimit dhe jo atë sekondar të dhunës- goditëse”, cilëson Sulimani.
Derisa jemi në valën e përplasjeve politike për ndryshimet në strukturat e qeverisë, ‘fshesa’ e Zaevit është lënë në “qosh të Kuvendit” dhe javët në vijim do të merret vesh nëse shkarkimet do të fillojnë nga partia e tij dhe më pas të BDI-së. /Gjurmë