Kryeministri Zoran Zaev tha se në fillim të qershorit (me siguri pas festave të Bajramit) do të dihet se cilët funksionar në nivel qendror do të përfshihen nga “fshesa” ndërsa gjatë verës ato në nivel lokal.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, ai tha se ka shfrytëzuar vikend të zgjatur që të pushoj dhe të konsolidoj qëndrime dhe se në dy javët e ardhshme do të dihet saktë se kush do të braktis vendin dhe të zëvendësohet me tjetër.
“Do të ketë ndryshime edhe në nivel të ministrave, të drejtorive të ndërmarrjeve, por edhe në nivel lokal, si dhe në partinë nga e cila vijë. Argumentet për ndryshim do të jenë arroganca, mos plotësimi i detyrave, ose gjithçka nga ajo që janë të pakënaqur qytetarët. Bëhet fjalë për dobësi njerëzore dhe jo për atë se kush është fajtor e kush jo, Po ashtu edhe vendimet e Antikorrupsionit, posaçërisht nëse ka pasur ndikime gjatë punësimeve do të merret parasysh”, ka deklaruar Zaev, përcjell SHENJA, në prezantimin e Raportit të OSBE-së për sigurinë dhe mirëqenien e grave.
Në pyetjen se si i komenton deklaratat e funksionarëve të BDI-së, se ata përgjigjen vetëm para partisë së tyre, ai tha se të gjithë vijnë nga ndonjë parti, por se ai si mandatar e ka të drejtën të propozoj ndryshime.
“Të gjithë përgjigjemi para qytetarëve. Disa vijmë prej partive politike, disa janë intelektualë që janë të pavarur. Qytetarët komentojnë publikisht, gjithçka dihet se kush si ka punuar. “Do të bisedoj me partnerët e koalicionit, edhe me Ali Ahmetin edhe të tjerët pasi besoj se duhet të bëhen ndryshime tek të gjithë përfaqësuesit në Qeveri. Kemi dobësi njerëzish. Nuk është çështje partie por njerëzish me dobësi që duhet të zëvendësohen”, ka thënë Zaev.