Betonimi i bregut të Strugës vazhdon drejtë fshatit Radozhdë, vendbanimi i fundit drejtë kufirit me Shqipërinë. Alsat sot regjistroi se në disa lokacione në atë brez ka aktivitete fillestare për ndërtimin e objekteve që janë mu buzë Liqenit.
“Këto më herët ishin ara. Çdokush mbillte në bahçe qepë, hudhra, patate. Tash fshatarët i kanë shitur tokat e tyre. Kishte edhe krap, këtu i lëshonte vezët. Bregu po shkatërrohet dhe kjo nuk është mirë”.
“Ndoshta janë funksionarë madje 100 % janë ata, kush mund të jetë tjetër. Për këtë fajtore është komuna, kryetari duhet ta bëjë si në deti. Në vende të këtilla nuk guxon të ndërtohet. Këta hyjnë edhe ujë dhe ndërtojnë”, u shpreh një banorë i Radozhdës.
Ndonëse askush nga banorët lokal nuk e di çfarë do ndërtohet këtu, dyshojnë se ata që ndërtojnë janë funksionarë politik lokal, njerëz që kanë pozita të larta dhe biznesmenë. Njëri prej tyre, funksionarë i LSDM-së tha se bëhet fjalë për tokë private, e jo shtetërore dhe se kjo lehtë mund të vërtetohet në kadastër, por zyrtarisht nuk deshi të flasë para kamerave.
Jozyrtarisht Alsat mëson se kontrollet shtesë që u bënë këtyre ditëve përgjatë bregut të Strugës, kanë konstatuar ndërtime joadekuate. Janë marrë vendime nga inspektorët e autorizuar për largimin e tyre.
Ndryshe sot Këshilli i komunës së Strugës nuk e mbështeti propozimin e kryetarit Ramiz Merko për dhënien e 36 plazheve me koncesion. Kjo ishte përpjekja e tretë e autoriteteve lokale ta miratojnë një vendim të këtillë edhe përkundër paralajmërimeve nga Qeveria për marrjen e kompetencave për dhënien e plazheve me koncesion. “Pro” vendimit votuan vetëm këshilltarët e BDI-së.