Në Dibër prej sot fillon fushata për zgjedhjet lokale, pasi që ndërroi jetë ish-kryetari Ruzhdi Lata në nëntor të vitit të kaluar. Gara pritet të jetë e ngushtë pasi që marrin pjesë vetëm dy kandidatë: Hekuran Duka nga BDI dhe Arben Agolli nga ASH i përkrahur nga Lëvizja BESA. Dibra prej sot ka hyrë në fushatë zgjedhore dhe se dibranët do të vendosin mes dy mjekëve të njohur, që janë pjesë e garës, informon INA.
Hekuran Duka është i lindur më 1963 në Dibër, i martuar, babai i tre fëmijëve. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, ndërsa fakultetin e mjekësisë në Shkup, ku ka kryer edhe specializimin në urologji. Ai është i punësuar në Spitalin e përgjithshëm të Dibrës nga viti 1994. Duka deri tani ka kryer postin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Dibrës dhe ka qenë këshilltar komunal i BDI-së.
Arben Agolli është i lindur në Dibër më 1959, i martuar, baba i dy fëmijëve. Arsimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, ndërsa fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Më pas specializon në pediatri në Shkup. Ai ka një karrierë profesionale prej 34 viteve, 20 prej të cilave ka punuar si pediatër. Nga viti 2004 ai punon si pediatër në ambulancën e tij. Agolli ishte kandidat në zgjedhjet e fundit lokale në 2017, duke humbur në raundin e dytë nga Ruzhdi Lata me një diferencë të vogël.INA