Nëse miratohet propozimi i Qeverisë së Maqedonisë në konsultim me Shoqatën Aksionare ELEM dhe kompaninë private energjetike EVN Maqedoni, atëherë do të shlyen të gjitha borxhet për energjinë elektrike që kanë mbetur deri në gusht të vitit 2005, kur dhe u privatizua a ndërmarrja shtetërore “Elektroekonomia e Maqedonisë”, gjegjësisht deri në momentin kur EVN i mori borxhet nga kompania shtetërore EEM.
Nga Kompania EVN thonë se bëhet fjalë për borxhe te mbetura para se të privatizohet EEM. Pas privatizimit EVN-ja i mori për sipër që këto borxhe të ngelura t’i paguajë ELEM-it nga qytetarët.
“Bëhet fjalë për shlyerjen e borxheve që EVN i kërkon nga qytetarët të cilët nuk kanë paguar deri ne vitin 2005, për shkak se nuk kanë pasur mundësi financiare,kurse një pjesë e tyre kanë vdekur dhe borxhin e kanë trashëguar fëmijët e tyre. Në fakt ky borxh i mbetur shumë rëndë shlyhet. Për këto borxhe gjithashtu ka padi gjyqësore dhe qytetarët jo vetëm që nuk kanë pasur mundësi financiare të shlyejnë, por u është llogaritur edhe kamata”, thonë për gazetën KOHA nga EVN-ja, duke sqaruar se shlyerja e këtyre borxheve është rëndë të realizohet nga qytetarë.
Bëhet fjalë për një shumë rreth 100 milion euro që qytetarët nuk kanë mundësi t’i paguajnë.
EVN saktëson se të gjitha që fliten deri më tani janë vetëm llafe, pra nuk ka ende asgjë konkrete se si do të zhvillohet procesi i shlyerjes së borxheve të mbetura deri në vitin viti 2005, gjegjësisht para privatizimit të EEM-së.
Megjithatë EVN informon se së shpejti Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në konsultim me ELEM dhe EVN do të bëjë analiza për shlyerjen e borxheve të ngelura qytetarëve deri në gusht të vitit 2005.
“EVN-Maqedoni është duke bërë analizën e idesë për kategorizimin e konsumatorëve, të cilët nuk e kanë shlyer borxhin para vitit 2006. Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet, se cilët borxhe mund të falen. Nëse Qeveria miraton ligj për shlyerjen e tyre, ne do ta zbatojmë çfarë do vendimi që sjell Qeveria”, thonë nga EVN-ja.
Ndryshe Qeveria e Maqedonisë tani më një kohë të gjatë e paralajmëron masën për shlyerjen e borxhit për qytetarëve të grumbulluar përmes faturave të energjisë elektrike. Në bazë të numrit të padive këtë të drejtë do ta gëzojnë rreth 200 mijë qytetarë.
“Në përqindje të madhe bëhet fjalë për qytetarë nga kategori të ndjeshme, si shfrytëzues të ndihmës sociale dhe pensionistë.
Me shlyerjen e borxheve, qytetarët e përfshirë me këtë masë lirohen edhe nga procedurat e mëtejshme burokratike dhe administrative, ku përveç lehtësimeve nga aspekti procedural ligjor, për qytetarët do të thotë lirim nga gjitha shpenzimet e ardhshme që kanë të bëjnë me përmbaruesit, taksa noteriale dhe gjyqësore dhe shpenzime për procedurat e përmbarimit” thonë nga Qeveria e Maqedonisë.
Mirëpo sipas Qeverisë tani për tani vetëm po bëhen analiza se si do zhvillohet ky proces por ende nuk mund të flitet për masë konkrete por se thjesht për shlyerjen e këtij borxhi ekziston vullnet i fuqishëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ELEM dhe nga EVN-ja.
“Kjo shlyerje e borxheve të energjisë elektrike dhe taksës radiodifuzive në asnjë mënyrë nuk do të thotë se borxhi i tërësishëm do të jetë i kompensuar nga buxheti i shtetit, gjegjësisht apo të bie në kurriz të qytetarëve të tjerë. Thjesht për shlyerjen e këtij borxhi ekziston vullnet i fuqishëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ELEM dhe nga EVN.
Me këtë masë përfitim të vetëm do të kenë qytetarët të cilët janë në kufirin e sigurimeve sociale. Qeverisa e Republikës së Maqedonisë si dhe ndërmarrjet ELEM dhe EVN, janë të detyruar të shprehin solidaritetin e tyre si institucione dhe ndërmarrje me shkallë të lartë të përgjegjësisë shoqërore” thonë nga Qeveria e Maqedonisë./Koha.mk