Premtime Zylali-Struga Ekspres
Kur turpi i paarsyeshëm për të ngritur zërin rezulton në turp të vërtetë!
(Duke marr shkas prej dy ngjarjeve të shëmtuara të ditëve të fundit të abuzimit seksual në Shqipëri dhe Kosovë)
Demokracia e lëkundur dhe tejet e brishtë shqiptare, ka dëshmuar të ketë shumë devijime dhe anomali. Si pasojë, në shoqërine tonë që fatkeqësisht nuk po gjen akoma baraspeshën e duhur, të jesh femër është sfidë jashtëzakonisht e madhe.
Nga njëra anë, me të drejtë ne e konsiderojmë veten themeli i shoqërisë, por nga ana tjetër vazhdojmë të mbetemi objekt por edhe subjekt i një makthi të vazhdueshëm ekzistence.
Natyrshëm lind pyetja: Deri kur?!
Nëqoftë se për të kaluarën fajin ja veshim Kanunit të Lekë Dukagjinit, shoqërisë patriarkale, apo mentalitetit të prapambetur që femrën se trajtonin hiç më ndryshe se një kafshë, sot, në demokraci, kujt do ja drejtojmë gishtin? Familjes, shoqerisë apo sistemit të kalbur deri në rrënjë
Pavarësisht të gjitha konventave, dokumenteve kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e femrave si qenie me të drejta të plota e të patjetërsueshme, dhuna (fizike dhe psiqike) jo vetëm që nuk po minimizohet, por po shfaqet edhe sot e kësaj dite në format më të shëmtuara të mundshme
Dy ngjarjet monstruoze të ditëve të fundit janë dëshmi e fortë se shoqëria jonë është në një depresion të thellë. Tituj gazetash e lajme pafund për raste dhune ndaj femrës. Jetë zonjash e zonjushash të shkatërruara dhe “meshkuj” që ushqejnë egon me agresion patologjik e dhunë frenetike ndaj tyre. Realitet zhgënjyes dhe që na kthen me shekuj pas në kohë!
Rëndom themi se jemi shoqëri bashkëkohore, moderne, e civilizuar dhe me sy kah Perëndimi, por ç’ndodh në të vërtetë? Sa herë (shumë!) që jemi dëshmitarë të akteve të rënda të keqtrajtimit dhe përdhunimit të gruas, kjo e fundit jo vetëm që nuk ka mbrojtjen e duhur ligjore dhe atë morale të shoqërisë, por është pikërisht kjo shoqëri që nuk reagon ndaj kriminelëve siç ndodh në botën demokratike të zhvilluar, dhe në një mënyre apo një tjetër i vërsulet dhe ja hedh gjithë fajin vetë asaj.
Një femër duhet doemos urgjentisht të flasë, të protestojë, për veten, për familjen, për të ardhmen dhe asesi nuk mund dhe nuk duhet të lejojë të jetë fatkeqësi e domosdoshme e realitetit tragjik shqiptar.
Heshtja kurrsesi nuk është zgjidhje, sepse nga turpi i paarsyeshëm për të ngritur zërin do vazhdojmë të jemi dëshmitarë të turpeve të vërteta.
Unë, femër, zonjë, bashkëshorte, motër, nënë! Unë që mora bekimin e Zoti dhe nga jeta ime sjell jetë!
Premtime Zylali Deliaj
Profesoreshë e Gjuhës Angleze
Kryetare e Asamblesë së femrës të ASH – dega Strugë