REAGIM
Arsimi është vlera dhe shtylla kryesore e një shoqërie dhe zhvillimit të saj dhe suksesi është lidhur ngushtë me këtë sferë.
Në vendin tonë historikisht, kemi pasur një arsim sasior sesa cilësor dhe kjo ndodhë pikërisht nga shkaku, se politika i shtrinë rrënjët e saj tejmase në sistemin arsimor. Qeveria aktuale, në programin e saj “reformator” e kishte edhe cilësinë në arsim dhe depolitizimin e këtij sektori shumë të rëndësishmë për zhvillimin e shëndosh të një shoqërie.
Për çfarë reforma dhe cilësie në arsim flitet, kur në disa vende mësimi zhvillohet nëpër ish depo dhe lokale të ndërmarrjeve të mbetura nga lufta e dytë botërore. Hapësirat shkollore që shfrytëzojnë nxënësit, ashtu si edhe pajisjet e objekteve në të cilat mësojnë, janë një faktor i rëndësishëm për cilësin e arsimit.
Për këtë edhe reformat duhet të nisin nga përmirësimi i infrastrukturës shkollore, pasi është parakusht për të garantuar cilësinë. Sot në shumë vende të Maqedonisë dukshëm dallojnë kushtet mes nxënësve të etnive të ndryshme, derisa gati gjitha shkollat janë pajisur me kompjuter e disa edhe tabela elektronike, rreth 2000 nxënës shqiptarë në Kumanovë të dy shkollave të mesme mësojnë në kushte të mjerueshme: pa kabinete, pa salla sportive e afër 400 nxënës janë vendosur në Baraka lëvizëse.
Për Lëvizjen BESA, është e papranueshme që në një pjesë të klasave, në ndërtesën e vjetër të Shkollës Fillore, “Vëllezërit Milladinovci,” në Strugë, shiu këto ditë kishte shkaktuar probleme në zhvillimin normal të mësimit, ku mësohej me frikën se mund të rrëzohet kulmi. Ky objekt, rreth 100 vjeçar, në Luftën e Parë Botërore ishte një depo italiane ndërsa në shek.XXI shërben si shkollë. Në vitin 2014 komisioni komunal kishte vërtetuar që ajo nuk ka as kushte minimale për mësim. Rreth 50 nxënës të lagjes “Bardhi” të fshatit Bllacë në mungesë të objektit shkollor edhe këtë vit janë të detyruar të ndjekin proçesin mësimor në shtet tjetër në Kosovë.
Ku mbeti premtimi se do të ndërtohet shkollë fillore në Reçiçë dhe në fshatin Sellcë, madje kjo e fundit e filluar për ndërtim para 18 viteve. Po ashtu kontrata e lidhur në mënyrë të dyshimtë në fillim të shtatorit prej mbi 5 milion euro për libra shkollor nuk i dha rezultatet e pritura. Në shumë shkolla fillore e të mesme nxënësit mësojnë me libra të vjetër që iu mungojnë pjesë të librit ose nuk kanë libra fare.
Lëvizja BESA, kërkon përgjigje nga qeveria dhe në veçanti nga ministria e arsimit për këto raste që u përmendën më lartë, por edhe për shumë raste tjera në të cilat duhet të intervenohet dhe të gjendet zgjidhje sa më parë, edhe pse përgjigjia do të jetë si çdo herë; “Jemi në komunikim të vazhdueshëm për t’i zgjidhur këto probleme”.
Lëvizja BESA
Departamenti i Arsimit
30.11.2018