Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pret rreth 70 liderë botërorë sot në Paris, në ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Armëpushimi hyri në fuqi më 11 nëntor, 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.
Macron do të nderojë ushtarët e vrarë gjatë një fjalimi në “Harkun e Triumfit” ku është varrosur një ushtar i panjohur që është vrarë gjatë luftës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që pritet të marrin pjesë në drekën e shtruar nga presidenti francez në Pallatin Elize.
Në ceremonitë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ftesë të Macronit, po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Më 10 nëntor, gjatë një darke morën pjesë shumë liderë. Presidenti Macron paralajmëroi se paqja po merret si e mirëqenë.
“Disa nga ne kanë qenë në fronte të kundërta në atë kohë (gjatë Luftës së Parë Botërore) dhe ne jemi bashkuar sonte. Ky është homazhi më i madh që ne mund të bëjmë” për ushtarët e vrarë, tha ai.
Sot në Paris do të mbahet Forumi i Paqes, ku Macron ka thënë se dëshiron të promovojë një qasje multilaterale për sigurinë dhe qeverisjen.
Merkel tha se Forumi tregon se “sot ka vullnet, dhe këtë gjë unë e them në emër të Gjermanisë me bindje të plotë, se do të bëjmë gjithçka që të kemi një rend më paqësor në botë, megjithëse e dimë se ende kemi shumë punë për të bërë”.
Presidenti Trump nuk pritet që të marrë pjesë në ceremoninë e forumit, ndonëse homologu i tij rus, Putin do të jetë i pranishëm.
Trump ka thënë se nuk do të mbajë një samit dypalësh me Putinin në Paris, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk kanë dashur që një takim kokë më kokë Trump-Putin, të lë në hije ceremonitë për Luftën e Parë Botërore.
Dy liderët me gjasë do të takohen sërish në samitin e G-20, që do të mbahet në Buenos Aires të Argjentinës më vonë gjatë këtij muaji.