Kongresi i Lëvizjes BESA të Afrim Gashit është në kundërshtim me Ligjet dhe me këtë, edhe zgjedhja fillimisht e deputetit Nexhmedin Kahremani si ushtrues detyre kryetar, e më pas e Gashit në krye të partisë, është antiligjore. Kështu është përgjigjur Gjykata Themelore Shkupi II në kërkesën e Gashit drejtuar kësaj gjykate, njëherësh përgjegjëse për udhëheqjen e Regjistrit gjyqësor të partive politike në vend, shkruan gazeta KOHA.
“Kërkesa për regjistrimin e ndryshimeve në Regjistrin gjyqësor të partive politike që udhëhiqet nga gjykata e thirrur të partisë politike ‘Lëvizja BESA’ me seli në rrugën ‘Hristijan Todorovski Karposh’ nr. 84A Shkup, e dorëzuar në gjykatë më 01.03.2018, refuzohet si e pabazë”, thuhet në vendimin e fundit të Gjykatës Themelore Shkupi II, ndërsa bëhet fjalë për vendimin e Kongresit të grupit të Gashit të 18 shkurtit të këtij viti, në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë.
Vendimi i Gjykatës Themelore Shkupi II
Në sqarimin e vendimit të Gjykatës, përveç vendimit për thirrjen e Kongresit, hidhen poshtë edhe të gjitha vendimet tjera si ndryshimet statutore të BESËS, Rregullorja për punë, emërimi për ushtrues detyre kryetar i deputetit Kahremani, emërimi i anëtarëve të rinj në Kryesinë Qendrore, si dhe shkarkimi i Bilall Kasamit nga kreu i partisë. Vendimi i kësaj gjykate është marrë ditë më parë, ndërsa në të njëjtën vijë është edhe vendimi i Gjykatës Administrative të Shkupit.
Kjo e fundit ka hedhur poshtë kërkesën e Afrim Gashit që Gjykata Administrative, të sjellë vendim për “mbrojtje nga veprimet antiligjore” të Bilall Kasamit. Këshilli gjyqësor në përbërje nga Dimitrula Anastasovska, Burim Sejdini dhe Balentina Koneska e ka hedhur poshtë kërkesë-ankesën e Gashit dhe dhjetëra anëtarëve tjerë të BESËS kundër Kasamit, si dhe të anulojë Kongresin e BESËS së Kasamit të mbajtur në Shkup më 24 shkurt 2018.
“Hidhet poshtë propozimi i thirrur në nenin 55, 56, 57 dhe 58 të Ligjit për kontestet administrative, me kërkesë që Gjykata Administrative të anulojë veprimet nga ana e Bilall Kasamit si person përgjegjës në partnë politike Lëvizja BESA”, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative në Shkup. Propozues, siç shihet në vendimin gjyqësor, ishin Afrim Gashi-Shkup, Agim Alimi-Bogovinë, Atixhe Maksuti-Tetovë, Azbi Mahmuti-Tetovë, Bekim Sali-Shkup, Emad Mehmeti-Shkup, Fatmir Ebibi-Kumanovë, Fatmir Shaqiri-Shkup, Isak Tusha-Shkup, Bejtulla Demiri-Shkup, Mazllam Osmani-Kërçovë, Orhan Murtezani-Shkup dhe të tjerë. Ndryshe nga vendimi për refuzimin e grupit të Gashit, Gjykata Themelore Shkupi II muaj më parë kishte pranuar ndryshimet statutore dhe vet Kasamin si lider i dalë nga Kongresi i 24 shkurtit në Shkup. Në vendimin e kësaj gjykate thuhej se “pas kërkesës të Bilall Kasamit për regjistrim të ndryshimeve dhe plotësimeve të Statutit dhe Programit të partisë politike në Regjistrin gjyqësor të partive politike, në pajtim me nenin 27 të Ligjit për partitë politike, dhe pas shqyrtimit të dëshmive, konstaton se argumentet në kërkesë mbajnë dhe janë në pajtimin me nenin në fjalë”, transmeton KOHA vendimin e Gjykatës Administrative.
Vendimi i Gjykatës Administrative
“Në pajtim me nenin 17 dhe nenin 4 të Ligjit për plotësim të Ligjit për partitë politike, dhe në bazë të dëshmive të pranuara nga Gjykata Themelore 2, në Regjistrin gjyqësor të partive politike regjistrohen të dhënat e reja të partisë ‘Lëvizja BESA’ me adresë rruga ‘kristijan Todorovski Karposh’, 84A, Shkup”, thuhet më tej në vendim. Përveç kësaj, krerët e BESËS së Gashit tani do të përballen me Kasamin edhe për disa vepra penale, të cilët ky i fundit tashmë i ka proceduar në gjykatë.
“Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “vendime në kundërshtim me Statutin e partisë”, “uzurpim”, “manipulim” dhe “shpifje” janë dhjetëra paditë e Kasamit, i cili përveç si lider i partisë, edhe si person fizik ka paditur Afrim Gashin, Skender Rexhepin, Zeqirija Ibrahimin, Bekim Sali, Nexhmedin Kahremanin dhe të tjerë. Tani, e vetmja dhe e fundit derë e Gashit mbetet ankesa në Gjykatën e Apelit, megjithëse kjo gjykatë, një muaj më parë, në vendimin e firmosur nga gjykatësja Lidija Martinova, Stanka Zafirovska dhe Agim Mislimi kishin njohur Kongresin dhe ndryshimet statusore të grupit të Bilall Kasamit. (koha.mk)