Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeQytetiVazhdojnë urat e komunikimit mes Strugës dhe arbëreshëve të Kalabrisë

Vazhdojnë urat e komunikimit mes Strugës dhe arbëreshëve të Kalabrisë

Pas qëndrimit 10 ditor në Shqipëri dhe pas vizitave që u kishin bërë qyteteve të Shqipërisë si në Tiranë, Shkodër, Krujë, Berat, Gjirokastër (Korçën jo, sepse e kishin lënë ta vizitojnë bashkë me struganët, duke u nisur nga Struga), nxënësit arbëreshë, të frymëzuar dhe të gëzuar nga arritjet e tokës arbërore, ia mësynë qytetit buzëdrinas, që e njohin mirë tashmë

Nga Xhemi HAJREDINI

Arbëreshët e rinj rrugës së Jeronim De Radës, i cili ka thënë: “Një gjak, një gjuhë, një komb”. Nga data 15 tetor të këtij viti, 16 nxënës, drejtoresha dhe dy profesorë të Liceut të mirënjohur të Shën Mitrit (Kalabri) qëndruan në qytetin e Strugës për ta vazhduar komunikimin e tyre vëllazëror me nxënësit dhe qytetarët e Strugës, miqësi që ka zanafillën një dekadë më parë. Arsyeja e këtij udhëtimi 20 ditor ishte realizimi i projektit “Shkollë – Punë” që nxënësit arbëreshë, të liceut të sipër përmendur, kishin zgjedhur, nga dashuria dhe krenaria për vendin e stërgjyshërve të tyre, Tiranën dhe Strugën.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk nguroi t’i takonte këta nxënës të veçantë. Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar: “Mirëprita me shumë kënaqësi, një grup nxënësish të Kolegjit arbëresh “Shën Adriano” në Shën Mitër Koronë, institucionin arsimor ku ka dhënë mësim Jeronim De Rada dhe ka studiuar Luigj Gurakuqi. Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj. I inkurajova jo vetëm të forcojnë më tej inteligjencën arbëreshe por edhe të rrisin shkëmbimet kulturore me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, si mënyra më e mirë për t’u njohur dhe afruar më shumë me njëri-tjetrin. Ju premtova se shumë shpejt do t’i vizitoj edhe unë në Kolegjin e tyre, shumë të dashur për të gjithë shqiptarët”.

Nxënësit arbëreshë takohen me përfaqësuesit e Administratës së Komunës së Strugës

Pas qëndrimit 10 ditor në Shqipëri dhe pas vizitave që u kishin bërë qyteteve të Shqipërisë si në Tiranë, Shkodër, Krujë, Berat, Gjirokastër (Korçën jo, sepse e kishin lënë ta vizitojnë bashkë me struganët, duke u nisur nga Struga), nxënësit arbëreshë, të frymëzuar dhe të gëzuar nga arritjet e tokës arbërore, ia mësynë qytetit buzëdrinas, që e njohin mirë tashmë. Të vendosur në një hotel të bukur (me prestigj të lartë) të qytetit të Strugës, nxënësit e Liceut të Jeronim De Radës në Shën Mitër të Kalabrisë që mbrëmjen e parë dëshironin t’i prekin bukuritë e qytetit mikpritës.

Njohja me administratën e Komunës së Strugës, njohja me aktivitetet e agjencive turistike, njohja me jetën kulturore, fetare, turizmin kulturor dhe proceset arsimore në Strugë ishin informacionet e para që morën mysafirët e rinj. Plot entuziazëm nxënësit arbëreshë vizituan monumentet më të lashta të trashëgimisë kulturore, dëgjuan dhe mësuan edhe për jetën dhe tolerancën ndërfetare në qytetin e Doktor Ibrahim Temos. Myftinia e BFI-së Strugë në profilin e saj në fb, ndër të tjera, shkruan: “Myftiu i Strugës, Ef.Salim Sulejmani, me shumë kënaqësi i priti këta nxënës nga Kalabria e Italisë duke u folur për historinë e Xhamisë më të vjetër në Strugë “Mustafa Çelebi”. Nxënësit arbëreshë hynin për herë të parë në ambientet e një xhamie dhe për herë të parë dëgjonin një ligjeratë kushtuar fesë islame dhe rregullave të saj. Për të gjitha pyetjet e nxënësve nga Liceu i Shën Mitrit (Kalabri), Myftiu me shumë dashamirësi dha shpjegime. Ai u foli për rolin e gruas në islam, për obligimet e gjithsecilit në shoqëri, për tolerancën ndërfetare mes shqiptarëve.

Nxënësit arbëreshë në xhaminë më të vjetër të Strugës “Mustafa Çelebiu”

Agjencia “Flamurtari” nga Struga, bashkë me Komunën e Strugës ishin partnerë të realizimit të këtij aktiviteti studimor të nxënësve të Shën Mitrit. Nga “Flamurtari” nxënësit u informuan se struganët udhëtojnë shpesh në destinacione të ndryshme. Ata punojnë dhe jetojnë përkohësisht në shumë vende të Evropës por edhe në kontinente të tjera si Amerikë dhe Australi. Këtu kanë foletë e tyre dhe këthehen sa herë që kanë mundësi.

Vizita të tjera, që janë të lidhura me turizmin kulturor, përkatësisht me projektin e Liceut të Shën Mitrit (Kozencë) “Shkollë – Punë” ishin monumentet turistike të qytetit të Ohrit dhe Manastiri i “Shën Naumit”. Nxënësit kishin informacion interesant mbi shkëmbimin e trojeve mes Shqipërisë së atëhershme dhe ish Jugosllavisë. Ata mësuan se Liqeni i Ohrit lag tre qytete (Strugën, Pogradecin dhe Ohrin) dhe se i njëjti është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Destinacioni tjetër i nxënësve ishte qyteti i Korçës. Ata kishin mësuar se këtij qyteti ndryshe i thonë “Le petit Paris”. Ata dinin akoma pa shkuar se në vitin 1887 ishte hapur shkolla e parë në gjuhën shqipe, se Korça dikur ishte shpallur Republikë dhe se atdhetari e luftëtari Themistokli Gërmenji kish qenë president i saj. Delegacioni arbëresh (nxënësit dhe mësimdhënësit) u mahnitën me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Korçë, me rrugicat e pastra të Korçës, me muzetë dhe me bukuritë e Pazarit të vjetër. Pas Korçës nxënësit u ndaluan buzë liqenit të Ohrit, në Pogradec. Mësuan për historinë e qytetit, për turizmin dhe kulturën pogradecare. Thelluan njohuritë e tyre për dy kolosët e qytetit Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin. U larguan të kënaqur se edhe ky qytet buzë liqenit ruante me kujdes pasuritë natyrore dhe kulturore.

Nxënësit arbëreshë te Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Manastir

Pasi kthehen në Strugë, nxënësit arbëreshë evidentojnë gjithçka kanë parë e kanë mësuar. Ata mes vete flasin italisht sepse koha e ka bërë të vetën. Profesori i gjuhës shqipe, Zef Liguori dhe profesoresha tjetër e italishtes, Patricia, që të dy arbëreshë, nuk kanë shkop magjik që t’i bëjnë këta nxënës që të flasin vetëm arbërisht (shqipen e vjetër, që nga koha e Skënderbeut). Megjithatë ata kuptojnë shumë mirë gjuhën e të parëve të tyre dhe me nxënësit e Shkollë së mesme “Dr. Ibrahim Temo” – Strugë flasin e kuvendojnë shqip. Drejtoresha e Liceut të Shën Mitrit, Konçeta Smerilio, që kish ardhur edhe ajo për t’i shoqëruar nxënësit dhe mësimdhënësit e saj, këmbëngulte që nxënësit të flasin më shumë në gjuhën shqipe por harronte se me 2 orë mësim në javë nuk mund të bësh mrekulli. Sidoqoftë qëllimi i saj ishte i mirë.

Një vendbanim që iu bëri përshtypje mysafirëve të rinj nga Kalabria ishte fshati Ladorisht. Këtu ata u njoftuan me diskriminimin e vërtetë kundrejt një komuniteti atdhedashës. Ata panë me sytë e tyre se si një bazilikë ish lënë pas dore, sesi një fshat me kontribute të mëdha që nga lufta e Pterinjes e deri në ditët e sotme nuk kish përfituar asnjë investim kapital. Ata mësuan për masakrën e Ladorishtit, për aktivitetet e shkollës së mesme “Hajdar Dushi” etj. Dy ndalesa të tjera që patën nxënësit arbëreshë dhe shoqëruesit e tyre ishin qytetet e Manastirit dhe Shkupit. Ata do ta pasurojnë projektin e tyre “Shkollë – Punë” me të dhënat që morën te Muzeu i Alfabetit të Manastirit, Qyteti antik Heraklea Linkestis në Manastir, shtëpia e Nënë Terezës, sheshi Aleksandri i Madh dhe Çarshia e vjetër në Shkup.

 

Nxënësit arbëreshë me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Panë e ç’nuk panë nxënësit e përmalluar për tokat e stërgjyshërve të tyre. U “mahnitën” me përmendoret e shumta me përmasa të mëdha në sheshin e kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë (Veriore). Kemi mësuar a s’kemi mësuar në shkollë për historinë e Aleksandrit të Madh, përshpërisnin mes tyre arbëreshët e rinj. Pse vallë, u dashka të vjedhësh historinë e tjetrit për të qenë i madh?! A jetohet më mirë kështu?!

Arbëreshët u larguan duke marrë me vete kujtimet nga qëndrimi i tyre në Tiranë (Shqipëri) dhe Strugë (Maqedoni). Ata do të shkruajnë për ato që panë e dëgjuan. Janë të rinj, do të shkruajnë ashtu si i shohin gjërat nga kënd vështrimi i tyre. Ata ishin nxënës të shkëlqyer dhe me shumë edukatë. Dinin të bënin krahasimin e jetës së tyre në komunat arbëreshe në Kalabri me këtë tonën këtu, që akoma nuk i kemi vënë pikë tranzicionit.

Urat e bashkëpunimit mes shkollave dhe Komunës së Strugës dhe shkollave dhe komunave arbëreshe do të vazhdojnë. Projektet e struganëve dhe arbëreshëve zhvillohen më tutje për të mos mbaruar asnjëherë. (koha.mk)

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!