Një i dyshuar për vrasje është burgosur me 14 muaj burg pasi refuzoi t’i jepte policisë kodin e Facebook-ut të tij. Autoritetet kërkonin të kishin akses në rrjetin e tij social pasi hetonin vdekjen e nxënëses Lucy McHugh. 24-vjeçari Alan Nicholson, që shfaqej në një video të kamerave të sigurisë, refuzoi t’u jepte hetuesve kodin e Facebook që po analizonin çdo mesazh të tij dërguar 13-vjeçares.
Gjykatësi nuk e pranoi arsyetimin e 24-vjeçarit për të ruajtur privatësinë, i cili tha në sallën e gjyqit se policia do të zbulonte informacione në lidhje me kanabisin nëse do t’u mundësonte atyre akses në rrjetin e tij social. Por, gjykatësi e cilësoi “pengim të hetimit” faktin që i riu nuk pranonte të dorëzonte passwordin.
“Kjo do të thotë se detyra e policisë që heton vrasjen e Lucy McHugh është shumë e vështirë“, tha gjykatësi i çështjes.
13-vjeçarja nga Southampton, Angli, u gjet e vdekur në pyll më 26 Korrik. Ajo ishte therrur me thikë. Trupi i nxënëses u gjet 24 orë pasi ishte shpallur e zhdukur. Fillimisht policia arrestoi një kujdestar, mik të familjes i cili po qëndronte në shtëpinë e Lucy. Por më pas dyshimet ndaj tij për vrasje dhe abuzim seksual me të miturën u rrëzuan.
Këtë javë, hetuesit thanë se dyshojnë të kenë gjetur vendin ku vrasësi hodhi thikën që kishte përdorur në krim. Policia ka analizuar mijëra orë filmime të kamerave të sigurisë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të japin informacion nëse kanë parë një burrë me xhaketë ngjyrë të errët dhe xhinse blu. Në dispozicion është vendosur edhe një shpërblim prej 10 mijë Paund për këdo që jep informacione të vlefshme që çojnë në kapjen e vrasësit të 13-vjeçares.