Nuk ka përfunduar hetimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Atë e udhëheq Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa MPB sipas Ligjit për procedurë penale punon sipas instruksioneve të Prokurorisë, thotë Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka filluar gjykimi për disa nga pjesëmarrësit në ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, ku në bankën e të akuzuarve gjenden rreth tridhjetë persona, deputetë, artistë, pjesëtarë të MPB-së, të shërbimeve të sigurisë dhe sigurimit të Kuvendit. Ata përgjigjen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetutar dhe të sigurisë”.
I pyetur pse hetimi ende nuk mund të vjen deri te inspiratorët e dhunës, ministri është decid se ata nën dirigjimin e Prokurorisë dhe gjyqit, ende çdo ditë intensivisht punojnë në vërtetimin e fakteve dhe sigurimin e provave.
“Hetimi për këtë ngjarje udhëhiqet në bazë të urdhrit të Prokurorit publik dhe vendimin e gjyqit kompetent. Një pjesë e punëve, apo akuza veçmë ka hyrë në procedurë gjyqësore, por kjo nuk nënkupton se nuk realizohen edhe hetime tjera, që ndoshta do të vijmë deri tek inspiratorët e gjithë këtyre ngjarjeve dhe të njerëzve tjerë. Dua të dini edhe ju dhe publiku se në mënyrë permanente, çdo ditë punojmë në detektimin e personave që ishin brenda në Kuvendin e Maqedonisë, vërtetimin e identitetit dhe lidhshmërisë së tyre. Ato si informata i dorëzojmë në Prokurori dhe në bazë të atyre urdhrave do të veprohet më tej”, ka thënë Spasovski.