Ende po hetohen shkaqet e zjarrit që mori jetën e tre fëmijëve të mitur në Veles.
Vajzat 4, 2 dhe 1 vjeç, u gjetën të shkrumbuara në një përqafim të minutave të fundit të tmerrit që përjetuan. Fqinjët thonë se familja kishte probleme të mëdha financiare dhe fëmijët shpesh liheshin vetëm pasi prindërit mundoheshin t’u siguronin bukën e gojës, duke mbledhur shishe plastike të cilat i shisnin. Materialet e plastikës të mbledhura në shtëpi e kanë bërë zjarrin edhe më të vështirë për t’u kontrolluar.
“Aty rreth orës 16:00 prindërit e tyre i pashë duke shkuar të bëjnë pazar, më pas dëgjova ulërimat e fëmijëve. Zbrita poshtë dhe pashë flakët e mëdha. Menjëherë lajmërova policinë dhe zjarrfikësit dhe u tregova për zjarrin. Pasi u kthyen prindërit, ato bërtisnin: “fëmijët, fëmijët”, e lajmërova përsëri policinë për t’u treguar se brenda në shtëpi ka fëmijë. I njoh prindërit edhe pse nuk kemi pasur ndonjë kontakt. Ne kemi bartur ujë me kova prej shtëpive për ta shuar zjarrin, por kot nuk arritëm t’i shpëtojmë”,- theksoi fqinji.
“Filluam ta shuaj zjarrin, ishte temperaturë e lartë dhe kishte flakë të madhe, të cilat ishin bërë nga materialet e plastikës që anëtarët e familjes i kishin grumbulluar në shtëpi për të siguruar ekzistencën. Kur arritën pronarët e shtëpinë na informuan se i kanë mbyllur tre vajzat e tyre të vogla në shtëpi, 4, 2 dhe 1 vjeç. Dhamë gjithçka nga vetja, por ishte shumë vonë, sepse çatia kishte rënë dhe viktimat i kishte mbërthyer zjarri. Pasi filluam të pastrojmë materialin, e gjetëm fillimisht vajzën 4 vjeç, pastaj e nxorëm trupin e vajzës 2 vjeçe dhe në fund vajzën më të vogël 1 vjeçe. Kjo është një katastrofë e madhe”,- theksoi kryetari i ekipeve të zjarrfikësve në Veles, Lupço Lepidovski.
Shtëpia e tyre e improvizuar nuk ka pasur as rrymë dhe as ujë, dhe policia po përpiqet të hetojë se përse ajo u përfshi nga flakët. Po hetohet edhe pista e zjarrvënies së qëllimshme.
“Hetimi është edhe më tej në proces. Nuk kemi ndonjë rezultat konkret për shkakun e zjarrit. Nuk ka priza për energji elektrike dhe infrastrukturë tjetër, pra nuk ka pasur rrymë dhe ujë dhe kjo e komplikon më shumë procesin e hetimit, kemi shtruar disa hipoteza, por na duhen dëshmi për t’i vërtetuar”,- theksoi zëdhënësi i SPB- Veles, Veroljub Dodevski.
Familja ishte e evidentuar në sistemin e Qendrës për Punë Sociale në Veles dhe ishin shfrytëzues të ndihmës sociale.
Edhe ndaj tyre duhet të merren masat ligjore, sidomos pas pohimeve të fqinjëve se fëmijët e mitur liheshin shpesh pa mbikëqyrje. Tashmë po kryhet autopsia e trupave të vajzave – viktima të tragjedisë dhe hetim të hollësishme për të konfirmuar arsyet e zjarrit, të cilat edhe më tej mbetën të panjohura.