Kompania e pronarit shqiptar Hermogen Gecaj, radhitet ndër firmat më të njohura të gipsit në kantonin e St. Gallenit
“Genigips” është lidere e tregut të punës në „baustellet“ e Zvicrës gjermanofolëse.
Kompania e pronarit shqiptar radhitet ndër firmat më të njohura të gipsit në kantonin e St. Gallenit.
„Kam momentalisht 52 „baustella“, mund të them lirisht se kemi 6-7 vite që jemi kështu të angazhuar me një numër të madh të punëve“, tregon pronari i kompanisë, Hermogen Gecaj, shkruan albinfo.ch.
Për kompaninë “Genigips” punojnë aktualisht 38 punëtorë me kontratë të plotë vjetore, por në kohë vere, numri rritet. „Gjatë sezonit, numri i punëtorëve shkon deri në gjashtëdhjetë“, na tregon pronari i kompanisë, Hermogen Gecaj.
Kompania e shqiptarit me prejardhje nga Gjakova, ka një qarkullim vjetor në lartësinë e tetë shifrave. „Gjatë një viti kemi një qarkullim 10 deri në 12 milionë franga“, shpjegon Gecaj volumin e punës duke veçuar spitalin „Hirslanden Klinik Stephnashorn“, në St. Gallen, për të cilin ka 8 vite që i kryen të gjitha punët e gipsit dhe renovimet e bëra.
„Për çdo vit bëjmë 30 deri në 150 mijë franga punë në klinikën Stephanshorn“, tregon Hermogeni.
Ai ka po ashtu në pronësi një sërë objektesh banesore të banimit kolektiv në rajonin e Sankt Gallenit dhe është bashkinvestues në disa objekte tjera, bashkë me investitorë të njohur në immobilie (patundshmëri), siç është Marcel Niederer dhe “Schläpfer arkitekt”, me të cilët Genigips ka një bashkëpunim të ngushtë prej vitesh.
„Punoj me shumë arkitektë dhe investitotë, por nja 14 arkitektë dhe 6 investorë janë që punoj vazhdimisht me ta“.
Me pjesën dërmuese të arkitektëve që ka punuar në fillim, ruan edhe sot një bashkëpunim të mirë. „90 përqind i kam të njëjtit arkitektë që prej fillimit“ tregon Gecaj.
„Puna me gips është një punë e rëndë, por kur e mëson është një punë e mirë dhe shumë interesante për mua“, kujton fillimin e vështirë Hermogeni i lindur në fshatin Janosh të Gjakovës, ku tek pas mbarimit të shkollimit të mesëm në drejtimin medicinë e përgjithshme, emigron në Zvicër.
Sot, pas 13 vjetësh prezencë në ndërtimtari, Gecaj habitet si ia ka dalë të jetë kaq i suksesshëm në këtë biznes të rëndë e më shumë përgjegjësi.
„Fillimi ka qenë shumë i vështirë, me 26 vjeç po filloja si sipërmarrës duke investuar një shumë të konsiderueshme të buxhetit familjar me drojën se po i futem një rreziku që mund ta falimentoj ekzistencën familjare“, kujton Hermogeni ndjenjat e përziera që kishte, mes suksesit dhe dështimit.
Mirëpo, dështimi nuk kishte vend për një punëtor siç ishte Hermogeni -ai e njihte këtë punë mirë. Që prej ardhjes së tij në Zvicër s’kishte bërë punë tjetër, pos si gipser dhe e njihte profesionin e tij deri në detajin më të vogël.
„Në fund të vitit 1993 kam filluar të punoj për herë të parë si gipser. Plotë 12 vjet kam punuar në firmën Kolb Gschwend“.
Me biznesin e tij Genigips ka startuar në vitin 2004 duke marrë firmën e pronarit ku ka punuar vitin e fundit. Kroati i firmës ku ka punuar Geni i ka shitur firmën e gipsit dhe i ka propozuar emrin që mban tani – nofkën Geni.
Një vit pas hapjes se kompanisë, Hermogenit i bashkohet vëllai i tij, Kola, dhe nga aty biznesi i tyre është rritur në mënyrë të shpejtë sa as vetë ata nuk e besonin dot nga u vinin kaq shumë kërkesa për të marrë punë.
„Brenda një viti kemi pasur një rekord punësh. Çuditem edhe sot prej nga ky besim kaq i madh i ndërtuesve zviceranë për të ma dhanë tërë atë punë” na thotë Geni i cili ka disa arkitektë e investitorë me të cilët bashkëpunon për një kohë të gjatë.
Humanizmi i firmës Genigips nuk njeh ndarje fetare
Hermogeni i takon besimit fetar katolik, por ka mbështetur financiarisht ndërtimin e xhamisë shqiptare të Wilit. “Jam shqiptar i besimit katolik, por kur më kanë kërkuar mbështejten e ndërtimit të xhamisë shqiptare të Wilit, e kam mbështetur me një shumë të konsiderueshme”, thotë Hermogeni.
Genigips nuk lë asnjëherë anash aspektin human. Ai ka ndërtuar shtëpi për familje të pastrehë në Kosovë, ka ndihmuar me të holla të sëmurët dhe njerëzit në gjendje të rëndë ekonomike.
Genigips sponzorizon rreth 50 mijë franga për çdo vit aktivitetet sportive në rajon
Përfitues të mbështetjes financiare të madhe që jep për çdo vit Genigips, janë FC St. Gallen me rreth 25 mijë franga, FC Brühl me rreth 12 mijë franga. Kompania Genigips mbështet poashtu edhe ekipin shqiptar, FC Besa, Zvicra ndihmon Zvicrën, ka sponzoriziuar po ashtu tenisten Belinda Bencic, dhe të tjerë.