Ekonomia informale, papunësia e lartë dhe realizimi i dobët i investimeve në infrastrukturë, dobësitë në programet mësimore, si dhe rënia e shkallës së inovacioneve janë vërejtjet kryesore të Raportit të progresit për Maqedoninë.
Ambienti i biznesit në Maqedoni akoma vuan nga zbatimi i dobët i marrëveshjeve, ekonomia e madhe informale dhe shkalla e lartë të papunësisë. Gjithashtu, politika fiskale është e orientuar ndaj masave afatshkurtra dhe mungon plan afatgjatë për konsolidimin e financave publike, shkruan gazeta KOHA. Komisioni Evropian në Raportin e progresit për Maqedoninë vlerëson se përkundër përparimeve të caktuara dhe nivelit të mirë të zhvillimit të ekonomisë funksionale të tregut, megjithatë akoma shteti shfaq më shumë dobësi në sferën ekonomike.
Sipas Raportit, Maqedonia shënon përparim në menaxhimin me financat publike dhe llogaridhënien për harxhimin e parave publike, ndërkohë që ambienti makroekonomik është përkeqësuar në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar si rrjedhojë e krizës afatgjate politike që ka goditur edhe investimet.
DOBËSI NË PROGRAMET MËSIMORE
“Ekonomia e Maqedonisë në përgjithësi ka shënuar përparim të caktuar dhe në mënyrë të matur është e përgatitur të ballafaqohet me presionet dhe fuqitë e tregut në kuadër të BE-së. Përparim i mëtutjeshëm është arritur në diverzifikimin e eksportit, si dhe në arritjen e vlerës më të madhe të shtuar, sidomos në industrinë përpunuese. Nga ana tjetër, janë rritur edhe tregtia dhe investimet me shtetet e Bashkimit Evropian, ndërsa shënohen dobësi në programet mësimore, rënie e shkallës së inovacioneve, si dhe shënohet hendek i madh i investimeve, sidomos atyre publike”, thuhet në Raport.
Komisioni Evropian më tej rekomandon që në favor të mbështetjes së rritjes afatgjate ekonomike, Maqedonia ti kushtojë vëmendje të veçantë disa faktorëve.
“Maqedonia duhet të përmirësojë punësimin e të diplomuarve duke reformuar kurrikulat e arsimit dhe duke rritur pjesëmarrjen në tregun e punës. Duhet të stimulojë investimet për rritjen e rritjes ekonomike, në veçanti në kërkimin, zhvillimin dhe digjitalizimin, si dhe të forcojnë lidhjet midis investitorëve të huaj dhe ekonomisë lokale. Nevojitet të zhvillohet edhe një kornizë buxhetore afatmesme, si dhe të realizohet konsolidimi fiskal duke përfshirë edhe targetimin më të mirë të shpenzimeve të transferimit, të përmirësohet zbatimi i marrëveshjeve, të ulet informaliteti në ekonomi, si dhe të rritet pjesëmarrja në tregun e punës, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë”, theksohet në Raport.
Lidhur me ambientin e biznesit dhe institucionet e tregut, Raporti i progresit thekson se kapaciteti institucional për të zbatuar Ligjin mbetet i dobët, ndërsa zgjidhja e mosmarrëveshjes tregtare nëpërmjet një gjykate kushton shumë si në kohë, ashtu edhe në aspektin material.
“Në vitet e kaluara, infrastruktura ligjore është përmirësuar, ndërsa shënohet rritje e numri të rasteve të trajtuara nga gjykatat. Megjithatë, ndërhyrja politike në gjykata shpesh sjell rezultate joefikase dhe ka dëmtuar besimin. Qeveria e re është e angazhuar për rritjen e efektivitetit dhe paanshmërisë së sistemit ligjor dhe ka miratuar masa për të arritur këtë (siç është Plani 3-6-9). Mbetet problem edhe inspektimet jo transparente dhe taksat para-fiskale, apo kompensimet e ndryshme që nuk janë tatime”.
Ekonomia informale, siç theksohet në Raport, mbetet një pengesë e madhe për biznesin. “Pjesa jozyrtare e ekonomisë mbetet e madhe, duke ndikuar në konkurrueshmërinë e sektorit privat formal, përkundër faktit se ajo është në rënie në aspektin e vlerës së shtuar bruto dhe punësimit. Në hulumtimet e ndryshme, ekonomia joformale konsiderohet vazhdimisht si një pengesë për të bërë biznes në vend. Vlerësimet në përmasat e saj variojnë nga rreth 20 për qind të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas Enti Shtetëror të Statistikës, deri në afër 40 për qind, në varësi prej metodës së aplikuar. Kjo krijon pengesa për investime dhe probleme serioze të konkurrencës për kompanitë e regjistruara”.
TË NDALOHET IKJA E PUNËTORËVE
Raporti ka analizuar edhe gjendjen dhe dobësitë në tregun e punës. Emigracioni në shkallë të gjerë i punëtorëve të kualifikuar dhe nivelet e ulëta të regjistrimit në fakultete apo pas përfundimit të arsimit të mesëm, kanë lënë ekonominë në luftë për të rindërtuar një fuqi punëtore të re të kualifikuar. Kjo e pengon rritjen potenciale dhe vonon transformimin strukturor të ekonomisë, pasi pengon rishpërndarjen e burimeve drejt sektorëve me produktivitet më të lartë. “Punësimi në ekonominë informale është në rënie, por mbetet e lartë.
Sipas Entit të Statistikës së Maqedonisë, afër 18 për qind e punësimit të përgjithshëm në vitin 2016 u zhvillua në ekonominë informale. Kjo përqindje është zvogëluar në mënyrë të qëndrueshme nga 28.6 për qind në vitin 2008, e mbështetur nga masat e Qeverisë që nxisin punësimin formal duke subvencionuar harxhimet e punës gjatë viteve të fundit.
Puna joformale shpërndahet në mënyrë të pabarabartë mes grupeve të popullsisë, me një përqindje të lartë për punëtorët e rinj, gratë dhe të papunët afatgjatë. Kontributet e larta dhe të sheshta të sigurimeve shoqërore mund të përbëjnë një pengesë për punëtorët që të lënë punën joformale”, thuhet në Raport.