Seanca e sotme gjyqësore për sulmin ndaj deputetit Ziadin Sela në të cilën u deklaruan dëshmitarët përfundoi me dëshminë e Igor Janakiev si dëshmitar i prokurorisë.
Debati kryesor për këtë rast do të vazhdojë më 18 prill.
Në dëshminë, Janakiev tha se ka tentuar ta mbrojë Selën nga turma e popullit. Theksoi se si i punësuar për sigurim në MPB, më 27 prill ishte para media qendrës në Kuvend dhe se së bashku me kolegët kanë tentuar ta ndalojnë turmën që të hyjë brenda, por se përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.
Dëshmoi se nuk e ka parë se si Sela ka qenë i larguar nga deputetët e tjerë, por se ka parë se si tre deri në katër persona e tërhiqnin derisa ende ishte në këmbë. Më pas, Sela kishte rënë në tokë.
“U futa midis turmës së njerëzve të cilët e godisnin dhe qëndrova afër kokës së tij që ta mbrojë. Ai po përpiqej me gjitha forcat që të mbrohet me duart në kokë”, tha Janakiev, duke shtuar se më së shumti e kanë goditur Selën me këmbë në trup dhe kokë.
Sipas Janakievit, pas një kohe Sela ka ndaluar që të mbrohet dhe të lëvizë me duart sikur nuk jepte shenja jete.
Në dëshminë e tij, Janakiev theksoi se nuk i kujtohet pamja e personave të cilët e kanë bartur Selën para se të binte në tokë dhe se nuk i kujtohet asnjë person i cili e kishte goditur, sepse me kokën ishte i kthyer kah ai që ta mbrojë. Shtoi se askush nuk e ka penguar në mbrojtjen e Selës dhe se nuk e di se cilët ishin personat që e kanë larguar Selën jashtë media qendrës pasi e kishte humbur vetëdijen.
Para Janakievit, sot dëshmuan edhe deputeti Muhamed Zeqiri dhe polici Abdulfetah Alimi.
Në këtë rast të akuzuar janë edhe Kire dhe Ceko Gjeorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski-Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Delov dhe Stojan Pavlovski-Kobra. Të akuzuarit për tentim vrasje të deputetit Ziadin Sela në seancat paraprake u prononcuan të pafajshëm. Ata para Gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë dhe se atë do ta dëshmojnë në procedurën e mëtutjeshme.