Ky është Sedmir Usainovski, nxënësi dhjetëvjeçar nga fshati Kishavë. Ai rrëfen për arsimtarin e historisë i cili, siç thotë ai, ka dashur që ta sulmojë fizikisht. “Unë jam Sedmiri. Arsimtari i tha Florimit, eja ta hedhim nga shkallët. Unë u thash se nuk mund të më hedhin”, tha Sedmir Usainovski, nxënës.
Para shkollës rajonale në Kishavë, sot u mblodhën prindërit e nxënësve. Ata nuk i lëshuan nxënësit e tyre të futen në orën e historisë. Thonë se do ta bojkotojnë mësimin deri sa arsimtari të largohet nga puna.
“Erdha këtu për shkak të fëmijës tim, ka një arsimtar të historisë i cili i shkruan notat sipas dëshirës së tij. Ne nuk do t’i lëshojmë fëmijët të mësojnë nëse ai arsimtar është ende këtu, ne nuk do ti lëshojmë”, tha Jeton Umanovski, prind.
“Nuk është në rregull që të grinden arsimtarët, nuk është në rregull që ne prindërit të grindemi me arsimtarët. Ky është një problem i madh”, tha Sadulla Muamerovski, prind.
“Në këtë shkollë nuk bëhen investime, shkolla është në gjendje katastrofale, ne sikur të mos jemi banorë të këtij vendi. Shkollën e mirëmbajnë nxënësit. Çdo vit mbledhin të holla për dritare, për ngjyrë dhe për investime të tjera. Nëse del edhe diçka tjetër, prapë vetë nxënësit e paguajnë. Këtu nuk ka asnjë lloj investimi nga ana e shtetit”, tha Jetmir Usainovski, prindi i nxënësit Sedmir.
Nga shkolla në Bistricë, e cila është kompetente për shkollën në Kishavë, thonë se janë të informuar në lidhje me këtë rast. Drejtori i shkollës për TV21 konfirmoi se arsimtari Darijan Najdovski është denoncuar në inspektoratin arsimor në Manastir dhe se është ngritur procedurë kundër tij.
Të punësuarit e tjerë në SHF “Krste Petkov Misirkov” në fshatin Kishavë thonë se arsimtari është larguar nga fshati menjëherë pasi që ka mësuar se ekipi televiziv është nisur për në fshat.
Numrat telefonik të inspektoratit arsimor të Manastirit të cilët janë të publikuar në internet nuk janë në funksion. E kontaktuam edhe qendrën në Shkup prej ku na thanë se nuk mund të japin deklaratë për media pasi që puna e tyre është e fshehtë.
Tentuam të kontaktojmë edhe me arsimtarin, por ai nuk ishte i kapshëm për televizionin tonë. TV21 mëson se arsimtari Darijan Najdovski më parë ka qenë i punësuar në shkollën fillore në Kukureçanë prej ku ka qenë i larguar nga puna për shkaqe të ngjashme. Në shkollën në Kishavë mësim ndjekin rreth 80 nxënës, ndërsa fshati ka rreth 200 banorë.