Pak minuta para se të aterojë në aeroportin e Shkupit, është paraqitur një defekt në motorin e avionit të “Wizzair” që flutruonte në relacionin Bazel-Shkup. Mirëpo kjo nuk ka patur pasoja të rënda dhe aeroplani ka zbritur me sukses në pistë.
Agjensia e Fluturimeve Civile ka dhënë detaje për mediat mbi këtë defekt, duke njoftuar se natën vonë, në mes të premtes dhe të shtunës, para aterrimit në pistë njëri prej motorëve të avionit ka patur defekt, që ka pamundësuar ngritjen e sërishme të tij. Piloti ka raportuar për rast të jashtëzakonshëm, me ç ‘rast menjëherë kanë reaguar autoritet kompetente të aeroportit.
Agjensia e Fluturimeve Civile sqaron se qysh ditën në mëngjes është identifikuar defekti dhe ekipet teknike e kanë mënjanuar atë, mirëpo, për shkaqe ende të panjohura, defekti i njëjtë është shfaqur sërish, por pa pasoja më të mëdha për sigurinë e udhëtarëve, ndërkohë që pasojnë hetime të mëtejme mbi shkaqet e këtij defekti.