Vrasja e qëllimshme e vogëlushit Almir Aliu do të përfundojë si “aksident komunikacioni”, ndërsa dorasi Boban Iliq, do t’i shpëtojë dënimit të merituar.
Është vet kryeprokurori Lubomir Jovevski ai i cili para deputetëve të Maqedonisë, në seancën e pyetjeve drejtuar zyrtarëve qeveritar, ka konfirmuar se lënda për vrasjen e 4-vjeçarit nga Kumanova, Almir Aliu, më 25 qershor të vitit 2016, do të përfundojë si “aksident komunikacioni”.
Për rikualifikimin e lëndës, Jovevski fajin ia ka hedhur ish-kryeprokurorit Marko Zvërlevski, për të cilin tha se vendimi është marrë njëherë në Prokurorinë publike, ndërsa më pas është votuar në Prokurorinë republikane.
“Vendimi për rikualifikimin e këtij rasti është marrë në Prokurorinë Publike që para se unë të emë- rohesha si kryeprokurorë publik. Më pas lënda është dërguar në Prokurorinë Republikane, ku edhe është votuar për rikualifikim nga ‘vrasje’ në ‘aksident në komunikacion’. Ky vendim është marrë për shkak të pamundësisë për të përcaktuar paramendimin në vepër tek i akuzuari për vrasje”, tha Jovevski në pyetjen e deputetit të Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi.
Me të marrë këtë përgjigje, deputeti Memedi i kërkoi Jovevskit të mos e ndjek rrugën e paraardhësit të tij, Marko Zvërlevski, si dhe të merret parasysh aktakuza për “vrasje” të vogëlushit dhe jo “aksident komunikacioni”, siç ka vendosur tashmë Prokuroria.