Lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e sotme në Vlorë, ku mbetën të vdekur dy persona, policia e Vlorë ka shoqëruar në komisariat nusen e vëllait të viktimës dhe dy vajzat e saj të mitura.
Selkie Hoxhallari me origjinë nga Korça 73 vjeçe dhe djali i saja Novruzi 43 vjeçar, u gjetën të shkrumbuar në banesën e tyre pranë Pyllit të Sodës në lagjen “1 Maji” në qytetin e Vlorës. Por teksa në një njoftim paraprak të policisë u tha se dyshohej për një zjarr të rënë aksidentalisht në banesë, nga ekspertiza-mjeko ligjore e kryer, në trupat e të ndjerëve janë gjetur shenja dhune, çka flet për një vrasje dhe që më pas t’i jetë vënë zjarri banesës ku ata po qëndronin. Djalit i janë gjetur shenja në kokë e ndërsa nënës së tij në qafë. Burime nga mjekësia ligjore thanë se po bëhet një ekzaminim mjeko-ligjor më i thelluar.
Ngjarja ndodhi në banesën një katëshe të familjes, rreth orës 04.20 kur dy trupat u gjetën të karbonizuar.
“Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor dyshohet se zjarri në banesë mund të jetë shkaktuar aksidentalisht , ku për pasojë janë djegur e kanë ndërruar jetë nënë e bir”, thoshte policia në një njoftim paraprak, teksa deklaroi se trupat e pajetë ishin transportuar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë.
E para që u përball me këtë tragjedi ishte bashkëshortja e 43-vjecarit Novruz Hoxhallari, me të cilin ka një djalë. Në mbrëmje, ajo bashkë me djalin e vogël ishte larguar për gjumë në dhomën e saj, e cila është e veçuar nga kuzhina. Vjehrrën dhe të shoqin i la ende duke parë televizor, e ngrohur në sobën me dru. Ka qenë ora 4 e mëngjesit, kur ajo nuhati erën e tymit. Kur shkoi në kuzhinë çdo gjë kishte marrë fund. Nënë e bir ishin karbonizuar.