Deputeti Kërsto Mukoski mbetet në paraburgim. Apeli konfirmoi vendimin e gjykatës Themelore me të cilën është vazhduar masa më e rreptë për deputetin e dyshuar për terrorizëm në ngjarjet e përgjakshme në vitin 2017.
Vendimi do të thotë se tani për tani asnjërit nga deputetët që morën paraburgim nuk do t’i përcaktohet masë më e lehtë. Dje u refuzuan ankesat e Sasho Vasilevskit dhe Luben Arnaudovit.
Nga tre deputetët që janë në arrest shtëpiak, pritet vendim vetëm pas ankesës së Zhaklina Peshevskës.
Dinamika e vendimmarrjes për ankesat tjera varet nga ajo kur do të marrim vendim nga Prokuroria Publike e Lartë. Mes tyre janë edhe ankesat e deputetes Zhaklina Peshevska dhe Boris Damovskit, të cilët kërkuan seanca publike. Menjëherë pasi ta marrim mendimin e Prokurorisë së Lartë Publike, do t’i caktojmë seancat” – deklaroi Safet Kadrii, gjykatës zëdhënës në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Dy deputetët tjerë që gjenden në arrest shtëpiak janë Johan Tarçulovski dhe Lubço Dimovski. Për Dimovskin nuk dihet nëse është ankuar në Apel. Johan Tarçulovskit i është refuzuar ankesa para dy ditëve dhe i janë caktuar 30 ditë tjera. Gjykata Themelore Shkupi 1 sot njoftoi se ia kanë refuzuar kërkesën që të mund të ndjek fjalimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Kuvend.
Derisa deputetët fillojnë t’i numërojnë ditët e muajit të dytë të paraburgimit, në publik nuk ka shumë informata mbi atë se çfarë punon Prokuroria për lëndën e 27 prillit. Disa ditë më parë avokatët e të dyshuarve për dhunën në Parlament u ankuan edhe pse klientët e tyre janë në paraburgim, asgjë nuk po ndodh me lëndën. Rastësisht ose jo Prokuroria dje e ftoi Johan Tarçulovskin që të japë deklaratë.