Në Kuvendin e Maqedonisë sot me 69 vota u miratua Ligji për përdorimin e gjuhëve. Më posht ju sjellim përmbajtjen e këtij Ligji.
Ligji për përdorimin e Gjuhëve
“Me këtë ligj paralelisht rregullohen parimet, mënyra dhe përgjegjësia e institucioneve për të mundësuar përdorim zyrtar të gjuhës të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimit të saj ‘vise a vise’ të drejtës së qytetarëve për të përdorur dhe zbatuar atë gjuhë në procedura zyrtare. Njëherit rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve tjera, të cilat i flasin qytetarët e bashkësive që janë më pak se 20%”
Sipas këtij Ligji është paraparë që edhe paratë, pullat postare, fletëpagesat, raportet fiskale, uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe mjekëve të jenë të shkruara edhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, njofton Tv Shenja.
Gjuha Shqipe është përkufizuar si gjuha që e flasin të paktën 20% e popullatës, dhe ky përkufizim paraqitet vetëm në nenin 1 të këtij ligji, në kllapa.
Neni 1, paragrafi 2 i Ligjit për gjuhët
“Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi I saj (shqip) në pajtim me këtë ligj”
Sa i përket punës së Kuvendit, sikurse deri më tani, deputetët do të kenë të drejtë të flasin dhe të drejtojnë seanca të komisioneve në gjuhën e tyre amtare. Por, është diskutabile se a do të vlen kjo normë edhe për kryetarin e Kuvendit.
Neni 4, paragrafi 3 i Ligjit për gjuhët
“Deputeti i cili flet gjuhë të ndryshme nga ajo maqedonase , dhe të cillën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të RM-së kur udhëheq seancën në Parlament apo seancë në trupa punues, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë”
Edhe seancat qeveritare mund të udhëhiqen në gjuhën që e flasin 20% i popullatës së Maqedonisë. Në nenin 5 të këtij Ligji, thuhet se edhe stenogramet, edhe aktet e sjella të Qeverisë duhet të jenë në maqedonisht dhe në gjuhën e atyre që janë të paktën 20% e popullsisë së Maqedonisë.
Neni 5, paragrafi 4 i Ligjit për gjuhët
“Kur seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegjiumet e përgjithshme i udhëheq funksionar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim”.
Institucionet obligohen që në afat prej gjashtë muajsh fillimisht t’i ndryshojnë emrat ose mbishkrimet në hyrje të institucionit dhe t’i shkruajnë ato njësoj në shqip dhe maqedonisht, me madhësinë e njëjtë dhe pamjen e njëjtë. Përveç kësaj, institucionet dhe njësitet rajonale obligohen t’i bëjnë në dy gjuhë edhe vulat e tyre. Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, institucionet duhet t’i zbatojnë ndryshimet tërësisht.
Për ata institucione që nuk do të zbatojnë këto ndryshime ligjore, do të shqiptohen gjoba prej 4 deri në 5 mijë euro. Ndërsa, zyrtarët ose administratorët që nuk e respektojnë këtë parim do t’u hiqen 30 për qind nga rroga. Zbatimi i ligjit do të kontrollohet nga dy institucione, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati Shtetëror në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Për të implementuar tërësisht dygjuhësinë, do të nevojiten afro 2 milionë euro shtesë që ministria tha se do të sigurohen nga buxheti i vitit 2018.
Institucionet gjithashtu obligohen që ueb faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-përqindëshit.