Ish-shefi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Osman Levanaku është ndaluar nga policia në Qafë thanë. Ai akuzohet për dhunë gjatë protestës së Partisë Demokratike para Parlamentit shqiptar, ditën kur PS-ja zgjodhi kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku.
Levanaku ka thënë se ndalimi është një hakmarrje e pastër politike. Ai ishte duke shkuar në Strugë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve, kurse ka shtuar se nuk e dinte se rezultonte person në kërkim.
Ai ka telefonuar nga qelia e paraburgimit disa media në Tiranë dhe sqaron se është ndaluar me akuzën se është person në kërkim, pasi kishte marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranës pak ditë më parë, tubim që u shoqërua edhe me incidente të dhunshme.
“Më thanë je person në kërkim, për llogari të Tiranës lidhur me protestat. Mesa di unë protesta ishte e ligjshme. Në Tiranë s’më ka ardhur asnjë shkresë, i njoh mirë rregullat. Në ditën e vitit të ri më bllokojnë në kufi, jam i izoliar prej tre orësh në Qafë Thanë. Presim urdhër nga lart si do veprojnë me mua. Jam i pastër, por më pengojnë ditën timë me familjen”, është shprehur ish shefi i FNSH.
Drejtori i Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Osman Levanaku është shkarkuar katër vite më parë dhe në vend të tij, në krye të FNSH emërohet Arben Baro.
Po ashtu është liruar nga detyra edhe komandanti i RENEA-s, Luigj Vathi, i cili transferohet në drejtimin e Forcave Lëvizëse Operacionale. Në vend të tij është emëruar Artan Kuka.
Duke iu referuar një njoftimi zyrtar të policisë, këto lëvizje bëhen në kuadër të implementimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, e cila është në proces riemërimi të efektivave të policisë së kryeqytetit.