Fakti se shumica e qytetarëve në këtë kohë festojnë, marrin pjesë nëpër ahengje të ndryshme, mes të cilave edhe ato që organizohen pas orarit të punës, ndryshe siç njihen “After Work Ahengje”, sipas KRSK-së, nuk nënkupton se shoferëve ju lejohet konsumimi i alkoolit, gjegjësisht drejtimi i veturave në këtë gjendje do të sanksionohet
Konsumimi i alkoolit, sidomos gjatë festave të fundvitit, në shumë raste është treguar i kobshëm, posaçërisht për shoferët dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacionin rrugor, shkruan gazeta KOHA. Kur edhe zyrtarisht kemi hyrë në javën e fundit të vitit 2017, nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion (KRSK), përmes një kumtese, i kanë paralajmëruar qytetarët, me theks të veçantë vozitësit, për lartësinë e gjobave nga konsumimi i alkoolit gjatë kohës kur ato vozisin.
“Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit paraqet arsyen më të shpeshtë se pse ndodhin aksidentet rrugore, me çka pasojat janë të rënda, disa herë edhe fatale. Vdekjet që pasojnë si rezultat i këtyre aksidenteve shoqërohen me shumë dhimbje, lot dhe lëndime të rënda trupore. Shoferët e dehur, përkundër faktit se e rrezikojnë jetën e tyre dhe personave tjerë në automjetin që e drejtojnë, ata shpeshherë janë rrezik potencial edhe për jetën e pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thonë nga KRSK-ja.
Fakti se shumica e qytetarëve në këtë kohë festojnë, marrin pjesë nëpër ahengje të ndryshme, mes të cilave edhe ato që organizohen pas orarit të punës, ndryshe siç njihen “After Work Ahengje”, sipas KRSK-së, nuk nënkupton se shoferëve ju lejohet konsumimi i alkoolit, gjegjësisht drejtimi i veturave në këtë gjendje do të sanksionohet. Njëkohësisht, nga ky Këshill, në paralajmërimin e tyre theksojnë se vozitësit janë ajo kategori, e cila në këtë periudhë duhet të dëshmojë pjekurinë dhe ndërgjegjen më të madhe. Duke i numëruar ndikimet negative që alkooli i shkakton te një shofer, nga KRSK kanë thënë se vozitësve që konsumojnë alkool në masë të madhe ju zvogëlohen aftësitë e menaxhimit të automjetit në komunikacion, gjegjësisht efektet negative në radhë të parë vijnë gjatë kohës kur ata duhet të reagojnë shpejtë dhe në kohë.
“Alkooli ndikon në sistemin qendror nervor dhe e zvogëlon aftësinë e gjykimit racional dhe aftësitë e parashikimit të rreziqeve dhe kërcënimeve në komunikacion. Personat në ndikim të alkoolit, posaçërisht rinia, ka prirje më të madhe për ndërmarrjen e rrezikut dhe sjelljeve agresive në komunikacion. Rezultat i këtyre veprimeve, shpesh herë rezultat me pasoja fatale”, thonë nga KRSK-ja. Korniza ligjore e cila i parasheh gjobat për këtë kategori të vozitësve, thotë se shoferët të cilët kanë konsumuar më tepër se 0.50 miligram alkool, nuk guxojnë t’a ndezin automjetin, aq më pak të kyçen në komunikacion. Për shoferet fillestar, siç theksojnë normat ligjore, konsumimi i alkoolit është i lejuar deri në shkallën 0,09 miligram, gjegjësisht thënë me fjalë tjetër toleranca ndaj këtyre vozitësve për çështjen e alkoolit është “zero”. Megjithatë, nëse një shofer i tillë ndalohet nga policia rrugore dhe konstatohet se në gjakun e tij ekziston një sasi prej 0.50 miligram alkool, atëherë ndaj tij do të shkruhet një gjobë prej 200 euro (në kundërvlerë denarë), patentë shoferi do t’i regjistrohet me 40 pikë negative dhe për tre muajt e ardhshëm do të ketë ndalesë të kyçen në komunikacion.
“Ndryshe, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, në sasi prej 51-1.00 miligram, sanksionohet me 225 euro, minus 40 pikë negative në patentë shofer dhe prej tre deri në gjashtë muaj mundet t’i shqiptohet ndalesa për kyçje në komunikacion. Gjoba prej 275 euro do t’i shqiptohet atij shoferi që në gjakun e tij konstatohet prezenca e 1.01-1.50 miligram alkool, respektivisht në patentë shofer do t’i shënohen 50 pikë negative dhe nga gjashtë deri në nëntën muaj do t’i konfiskohet leja për vozitje. Tutje, gjoba prej 325 euro, sipas Ligji për siguri në komunikacion, 55 pikë negative dhe konfiskimin e patentë shoferi deri në një vit, është paraparë t’i shkruhet shoferit i cili në gjakun e tij ka 1.51-2.00 miligram alkool”, transmeton KOHA paralajmërimin e KRSK-së. Ndryshe, gjoba prej 500 euro, mund t’i shqiptohet atij shoferi, i cili do ta refuzojë nënshtrimin ndaj alko-testit, respektivisht me këtë veprim ai rrezikon 65 pikë negative në patentë shofer dhe një ndalesë për prezencë në komunikacion prej 12 muaj. Gjatë këtij viti, sipas raportit të fundit të këtij institucion shtetëror, nëpër akset rrugore të Maqedonisë kanë ndërruar jetë 122 persona, me çka janë regjistruar mbi 7 mijë aksidente rrugore. (koha.mk)