Tregohet se bija e Holakos, liderit të mongolëve kishte dalë për shëtitje në Bagdad. Asaj i zënë sytë një grumbull njerëzish që ishin mbledhur rreth një burri. E çuditur pyeti se kush ishte ai person rreth të cilit ishin mbledhur gjithë ata njerëz dhe i thanë se ishte një nga hoxhallarët e myslimanëve, njeri shumë i ditur. Menjëherë urdhëroi që ai burrë ti sillej dhe ashtu ndodhi. Pasi erdhi i dituri, vajza e Holakos e pyeti:”A nuk jeni besimtarë?”
I dituri iu përgjigj:”Sigurisht që po.”
E bija Holakos:”A nuk pretendoni se Zoti mbështet dhe përkrah besimtarët?”
I dituri:”Sigurisht që po.”
E bija Holakos:”A na ka ndihmuar neve Zoti kundër jush?”
I dituri:”Sigurisht.”
E bija Holakos:”Atëherë, a nuk do të thotë ko se ne jemi më të mirë se ju?”
I dituri:”Jo.”
E bija Holakos:”Përse?”
I dituri:”A ke parë çobanë që kullosin bagëtinë?”
E bija Holakos:”Sigurisht.”
I dituri:”A ke vënë re që çobanët marrin me vete dhe qentë?”
E bija Holakos:”Sigurisht.”
I dituri:”A e di çfarë bën çobani nëse disa dele marrin arratinë dhe largohen nga tufa?”
E bija Holakos:”Dërgon qentë që ti kthejnë në tufë.”
I dituri:”Sa mund të zgjasë përndjekja e deleve?”
E bija Holakos:”Derisa delet të kthehen në tufë.”
I dituri:”E njëjta gjë vlen dhe në këtë rast. Ju jeni qentë e Zotit në tokë dhe përderisa ne jemi të përçarë, larg rrugës së Zotit dhe bindjes së Tij, ju nuk do na shqiteni derisa të kthehemi aty ku duhet.”