Aleanca për Shqiptarët do të ngelet në Qeveri. Lajmi bëhet i ditur për INA nga burime qeveritare. Pas takimit të djeshëm, kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar konsulta me bashkëpunetorët e ngushtë, duke shprehur qëndrimin se ka marrë porosi nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtar.
Por deri më 25 dhjetor kur propozimet duhet të shkojnë në Kuvend, Zaevdo të taktizojë dhe ka mundësi të bëj kompromise duke i ofruar ASH një resor tjetër ministror.
Nga takimi i djeshëm nuk pati zhvillime të reja, pasi që Sela tha se ministria e shëndetësisë i takon atyre, ndërsa për këtë situatë të krijuar akuzoi BDI-në për presion ndaj kryeministrit.
“Qëndrojmë në pozicionet që i kemi pasur. Marrëveshja është arritur atëherë dhe Aleancës për Shqiptarët i takon ministria e Shëndetësisë. Për sa kohë kemi udhëhequr kemi treguar sukses dhe nëse dikujt i pengon kjo le të dalë dhe ta thotë se i pengon suksesi dhe janë për kaos. Ministri të stisura si ajo e tipit për reforma natyrisht që për ne janë të papranueshme. I dhashë propozim kryeministrit që të bëj edhe një zëvendëskryeministër për të dërguar byrek ministrave dhe atë post ia jap me kënaqësi BDI-së sepse dinë ta bëjnë këtë punë. Ali Ahmeti është i gatshëm që Shëndetësinë më para ta marrë Zoran Zaevi apo LSDM-ja se sa ta mbaj ASH-ja ose shqiptarët- deklaroi kryetari i Alenacës për Shqiptarët Zijadin Sela.
Kabineti i Kryeministrit njofton atë që paraprakisht Sela e tha për media, se për partinë e tij nuk pranon post të Zëvendëskryeministrit për reforma. Megjithatë kumtimi kaq i shkurt i Qeverisë lë të kuptohet se Zaev dhe LSDM-ja nuk kanë ofertë tjetër për Selën dhe Aleancën për Shqiptarët.
Ne takim Sela njoftoi se Aleanca për Shqiptarët nuk e pranon ofertën për Zëvendëskryeministër për reforma- thuhet në kumtesë.
Ndërkohë amullia vazhdon. Të dyja palët protagoniste nuk njoftojnë se çfarë do të ndodhë më tej me Qeverinë, informon Alsat-M. Propozimet në Kuvend do të dërgohen si pako, por sipas situatës aktuale edhe pse seanca për votimin e tyre është caktuar për 25 dhjetor, nuk përjashtohet që e njëjta të shtyhet deri në pastrimin e dilemave mes Aleancës për Shqiptarët dhe LSDM-së.