Është marrëzi e llojit të vetë që dofarë kuaj e luanë qesharakë, do kryqa prej hekuri dhe dofarë fasada prej stiropori të shpallen monumente kulturore të mbrojtura nga shteti kurse një xhami e shek. të XVI të konsiderohet rrezik potencial për tensionime ndëretnike e ndërfetare.
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi
Para do kohe, politikani suedez Martin Strid, është përjashtuar nga partia” Demokratët Suedeze” pas pluhurit që u ngrit në atë vend për shkak të deklaratës së tij se “myslimanët nuk janë plotësisht njerëz”.Në një tubim partiak ai kishte thënë se “në maje të shkallës prej 1 deri 100 janë ata të cilët i plotësojnë kushtet të jenë 100 për qind njerëz, ndërsa në fund janë muslimanët”.Dhe, sikur nuk i kishte mjaftuar ky ofendim, ai kishte shtuar: “Nëse jeni ish muslimanë, atëherë e keni kaluar një pjesë të mirë të rrugës në përpjekje të shndërroheni në njeri…”. Bazuar në fjalimin e tijë, dëshira e Strid qenka që “muslimanët t’i lirojë nga islami”.
Në të njejtën kohë me deklaratën raciste islamofobe të politikanit suedez, doli edhe nje hulumtim i institutit tё Uashingtonit “Pew Research Center” që thoshte se numri i muslimanёve nё Europё do tё rritet. Si reflektim, u dëgjuan zëra që ndjellnin fantazmën e islamizimit të Europës, thua se po përgaditet një katastrofë natyrore që do e dridhë themelin e shoqërive europiane. Islamofobët dhe popullistët e djathtë ia plasën vajit se në Perëndim po krijohet ajo të cilën e paskan parashikuar me kohë. Në fakt, ata po thoshin se në Perëndim do krijohet një “Eurabia”.
Diçka, megjithatë, po ndryshon
Nëse fillon të argumentosh me kolona shifrash,me faqet e zbehura të historisë apo me teoritë e superioritetit të një race, të një feje apo civilizimi, do e shohësh një ditë vehten në kampusin e ekstremistëve e radikalëve të cilët s’bëjnë gjë tjetër përve që kërkojnë të derdhin diku frustracionet dhe paranojat e tyre.
Kam folur e shkruar ndër vite për islamofobinë dhe për islamofobët, si k am folur e shkruar edhe për dofarë “muslimanë” të cilët me veprimet e tyre jo humane po i shkaktojnë dëme konstante Islamit si fe e paqes , humanitetit dhe tolerancës .Dhe, gjithmonë kam konstatuar se islamofobët e të gjitha ngjyrave me ekstremistët e veshur me petkun e islamit shkojnë disi dorë për dore, ata nuk munden njëri pa tjetrin dhe ndihmohen mes veti në mënyrat më të uditshme, ata frymëzojnë njëri tjetrin.
Për fat të mirë të njerëzimit, është evidente se dika ka filluar të ndryshojë kohëve të fundit në rrafshin e raporteve ndërfetare, njerëzit sikur kanë filluar të kuptojnë ngadalë se jo do gjë që plasohet nga media të ndryshme dhe nga qarqe të caktuara politike duhet të lexohet e të kuptohet pikërisht ashtu si po plasohet. Erërat e reja që po fryejnë në Europe e gjetiu në Perëndim po dëshmojnë se po dështojnë përpjekjet e forcave radikale të djathta të cilat po pretendojnë t’a ngujojnë përgjithmonë në vetëdijen e njerëzve bindjen se “Islami është fe e prapambeturisë dhe dhunës”.
Ky konstatim, kuptohet, nuk është vetëm i imi sepse janë gjithnjë e më të zëshëm ata të cilët përfundimisht kanë filluar të dallojnë islamofobin nga njeriu i rëndomtë perëndimor, si kanë filluar të dallojnë edhe dhunën nga feja islame.
Pikërisht dy shembujt që i përmenda në fillim të tekstit, janë sinjales e dika po ndryshon.Kështu,vetë Partia Demokrate e Suedisë, duke përjashtuar nga radhët e veta politikanin Strid, duke e gjykuar publikisht deklaratën e tijë dhe duke kërkuar falje nga muslimanët për atë ofendim, dëshmoi qëndrimin që ka ndaj muslimanëve.Njëkohësisht, mbarë opinioni suedez e më gjërë shprehu keqardhje e neveri nga fakti se një njeri, aq më shumë politikan, mund të shpreh qëndrime të atilla skajshmërisht diskriminuese e raciste.
Poashtu, edhe hulumtimi i institutit amerikan që po parashihte rritjen e numrit të muslimanëve në Evropë, nuk përfundoi vetëm me trishtimin e ekstremistëve djathtistë. Përkundrazi, mendimi dominant shkonte në drejtim të faktit se nuk është i rëndësishëm numri I muslimanëve në Evropë por krijimi i mundësive të reja për një pjesëmarje të vërtetë të qytetarëve emigrantë në shoqëritë evropiane.
Ky lloj i qëndrimeve, pa dyshim se japin shpresa reale lidhur me ardhmërinë e raporteve mes feve të ndryshme. Ato, në të vërtetë, janë modeli i vetëm për të tejkaluar divergjencat e shumta që u krijuan posaërisht në decenien e fundit.
Xhamia e Ali Pashës
Në të njejtën kohë me rastet që i përmenda më lartë, këtu në Maqedoni, ishim dëshmitarë të një veprimi të orkestruar të qytetarëve dhe disa OJQ-ve të Ohrit të cilët me ngulm po kërkojnë ndërprerjen e restaurimit të xhamisë Ali Pasha në Ohër.
Pra, po ju pengon ringritja e një objekti pesëshekullor që është edhe shtëpi e Zotit por edhe monument i pa diskutueshëm kulturo historik.Thanë, po ju penguaka minareja e lartë.Dhe,thanë, nuk paska lezet një xhami mjedis arshisë sepse ashtu mund të prishet imazhi i qytetit. Për të qenë muhabeti i rumbullakësuar,Ministri Alagjozovski njoftoi ndërprerjen e restaurimit të xhamisë, sepse, “me atë ndërtim mund të shkaktohen tensione etnike, dhe i njëjti të jetë jashtë procedurave ligjore…”.
Sa për dijeni të juaj, të nderuar lexues, restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe në përputhje me projektin e përgatitur i cili ka marrë të gjitha lejet e nevojshme dhe po zhvillohet sipas një projekti të punuar nga ekspertë të dalluar.
Cfarë të thuhet për të këtilla gjëra në një tekst i cili mëton të afirmojë gjuhën e mirëkuptimit dhe tolerancës karshi atij të urrejtjes ?
Kujtoj se është krejtësisht e patolerueshme nëse një ministër i një Qeverie reformatore i arsyeton veprimet e veta nga “frika e tensionimeve ndëretnike e ndërfetare”. Sepse, një Qeveri quhet reformatore, mes tjerash edhe për shkak se për reformat që i synon ka marrë mbështetjen edhe të pjesëtarëve të etniteteve të tjera , e jo vetëm të atij etniteti apo të nhjë grupi të cilit po i penguaka një minare. Ndërkohë, nëpër Maqedoni mbijnë kryqa gjigandë prej hekuri që funksion të vetëm kanë provokimin dhe përcaktimin e teritorit të një etniteti.
A nuk e ka të qartë Ministri i nderuar se pikërisht ai duhet të bëhet njëri nga nismëtarët e ndryshimeve që duhet të bëhen në mentalitetin e njerëzve që pushteti i kaluar i përgjumi me nacional-shovenizëm dhe urrejtje. Nje Ministër i një Qeverie reformatore duhet medoemos të dijë se tirania që e përjetoi Maqedonia për një dekadë e gjysëm, nxorri nga bota e humanizmit shumë njerëz dhe i vrau ata moralisht, andaj ata kanë të drejtë absolute të kërkojnë riparim të padrejtësive…
Të lëshohet pe përpara një grushti islamofobësh që po i trishton një minare, do të thotë të harroet do gjë që ndodhte në periudhën e zymtë që e kaluam e të sillesh sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Me një qëndrim kësisoji, nuk do të eliminohen konfliktet dhe mosdurimet ekzistuese në shoqëri, ato vetëm do shtohen. Nëse një Qeveri do jetë përherë gadi të tërhiqet përpara një kërkese sikur kjo për të cilën po flasim, ajo vetëm do ndikojë të thellohen tensionimet ndëretnike e ndërfetare.
Dëshiroj të përkujtoj se urrejtja ekstreme që e mbolli pushteti i kaluar te individë dhe grupe të caktuara nuk është vetëm një anomali e përkohshme dhe se energjia kriminale dhe animoziteti perverz nuk do të zhduken vetvetiu. Ai proes do zgjatë shumë nëse atyre që janë mësuar të urrejnë të tjerët dhe të mos përgjegjen për përhapjen e urrejtjes, do ju lejojmë të kënaqen në botën e tyre iracionale në të cilën vlerat e njëmendëta dhe vlerat etike janë të përmbysura. Ata njerëz, ato grupacione, për pesëmbëdhjetë vjetë pushtet absolut, e krijuan një univers paralel të sunduar nga mosdija.
Andaj, një Qveri reformatore dhe një Ministër reformator nuk do të duhej të lejojnë fitoren e të keqes por duhet t’a mundin atë me një të mirë.Ndryshimet që po ndodhin në Evropë në rrafshin fetar, medoemos duhet të përfshijnë edhe Maqedoninë, në të kundërtën ajo do mbetet e ngujuar këtu ku është .
Në fund, vetëm po konstatoj se është marrëzi e llojit të vetë që dofarë kuaj e luanë qesharakë, do kryqa prej hekuri dhe dofarë fasada prej stiropori të shpallen monumente kulturore të mbrojtura nga shteti kurse një xhami e shek të XVI të konsiderohet si rrezik potencial për tensionime ndëretnike e ndërfetare.
Për kë po bien kumbanat ?