“Shqipëria ka qenë, është dhe do te jetë gjithnjë që nga pavarësia e saj, mikja më e mirë e Maqedonisë”.
Kështu tha Kryeministri Edi Rama nga Pogradeci pasditen e sotme, gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë e drejtuar prej tij dhe homologut Zoran Zaev.
Ai deklaroi se askush më shumë se sa shqiptarët e Shqipërisë nuk e kanë përjetuar më me entuziazëm mbylljen e një cikli të trazuar me Maqedoninë dhe hapjen e një cikli të ri.
“Ne i kemi rigjallëruar intensivisht vizitat dhe kontaktet. Shpreh vendosmërinë për ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga pikëpamja infrastrukturore dhe besoj se për këto dhe shumë arsye të tjera ky takim i sotëm cilësohet si një moment kyç në historinë e përbashkët. Sot ne jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët në ndërtimin e një mekanizmi afatgjatë, për të ngritur marrëdhëniet Shqipëri- Maqedoni, në një stad cilësor”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se do të ketë qasje konkrete që synon rezultat, si dy vende fqinje me detyrimin për të ofruar më shumë zhvillim dhe më shumë mirëqenien për vendin tonë, objektiv kyç i procesit të Berlinit, “ku bashkërisht me të tjerët jemi të angazhuar”.
Ai u ndal në domosdoshmërinë e krijimit të një linje hekurudhore dhe energjetike dhe përfundimin e projekteve madhore me potencial zhvillimor të të dy vendeve.
Rama bëri me dije se nesër do te vizitohet bashkia e Pustecit, ku tha se është shembull për respektin e të tjerëve dhe garantimi i barazisë së fqinjëve si qytetarë të Republikës.
“Shqipëria do vazhdojë ta mbështesë me të gjitha forcat e veta, angazhimin e Maqedonisë në NATO, si mënyrë për të sjellë stabilitet dhe garanci në rajon”, deklaroi kreu i qeverisë, duke nënvizuar se pa Maqedoninë stabiliteti i rajonit është i cunguar.
Rama u ndal në ndërtimin e korridorit 8, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, çka do të rriste shkëmbimet tregtare, sipas tij.
“Shpresoj që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt. Alfabeti i Manastiritt duhet të transformohet si një qendër kulturore dhe artistike. Simbolika flet shumë për të gjithë së bashku. Ne kemi punuar dhe do të punojmë për mirëqenien dhe për sigurinë e plotë të potencialit të minoritetit maqedonas në Shqipëri. Miratimi i ligjit të ri, qeveria ka përmbushur një hap madhor në drejtim të respektimit të pakicave në të gjithë territorin”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.
Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në menaxhimin e emergjencave./a.y/noa.al