Për Vebi Bajramin, masakra e Lubotenit është ngjarja më e tmerrshme që i ka ndodhur ndonjëherë. Atë ditë, atij i janë vrarë dy vëllezërit, i është plagosur babai, ndërkaq ai bashkë me dy vëllezër të tjerë janë dërguar në burg.
Ai rrëfen se si para syve të tij, kanë vrarë vëllain e tij dhe të njëjtin më pas e kanë shtypur me autoblindë. Rrëfen se sa e dhimbshme ka qenë të shohësh familjen që po të shuhet para syve, e të mos kesh mundësinë të bësh asgjë.
Bajrami flet më tej për keqtrajtimet që u janë bërë nëpër burgje. Mezi arrinte të përshkruante të gjitha vuajtjet dhe pamjet e tmerrshme të asaj dite, ndërkaq flet edhe për padinë për dëmshpërblim që për disa vite zvarritet nëpër dyert e gjykatave.