POROSI PËR UDHËHEQËSIT FETAR
Të nderuar miq dhe udhëheqës shpirtëror.
Ju që çdoherë e keni treguar kujdesin e veçantë për popullin tonë.
Po ju drejtohem juve me këtë porosi vëllazërore, me bindje që të mos keqkuptohem, sepse respekti im për ju është jashtëzakonisht i veçantë.
Ju e keni obligim moral dhe fetar që të ngritni zërin kundër çdo padrejtësie që u bëhet ithtarëve (xhematit) tuaj.
Ngritja e zërit tuaj nuk duhet kuptuar si përzierje në rregullimin politik të shtetit, por si reagim ndaj dhunës institucionale që u bëhet shqiptarëve në këtë vend, pasuesve tuaj.
Si mund të rini të qetë derisa nëpër burgje po dergjen njerëz të pafajshëm?
Si mund të rini të qetë derisa bashkëshortet dhe fëmijët e tyre çdo natë përmallohen për të afërmit e tyre?
Si mund të rini të qetë derisa varfëria dhe mjerimi po i detyron shqiptarët të marrin rrugët e botës?
Nuk kërkoj që të përkrahni ndonjë subjekt politik, sepse kjo nga unë do të ishte e pandershme, por kërkoj që vetëm të luteni bashkë me itharët (xhematin) tuaj që e keqja dhe mjerimi të largohen nga shqiptarët, drejtësia të vij në vend, të burgosurit të kthehen në shtëpitë e tyre dhe lumturia t’u kthehet fëmijëve.
Zoti i Gjithmëshirshëm qoftë gjithmonë me ju.
Skënder Rexhepi-Zejdi