Nuk kanë përfunduar ende debatet për plotësimin dhe ekipimin e kabinetit qeveritar nga ana e kryeministrit Zoran Zaev.
Gjithçka ka të bëjë me Ministrinë e Shëndetësisë, pas zgjedhjes së Arben Taravarit në krye të komunës së Gostivarit, por edhe për vendet vakante të ministrisë për investime dhe zëvendësministrit të arsimit, pasi që Ramiz Merko u ulë në karrigen e të parit të Strugës dhe Visar Ganiu në Çair.
Kalkulimet po vazhdojnë, ndërsa në lojë është edhe oferta për Aleancën për Shqiptarët që kjo parti në vend të Ministrisë së Shëndetësisë të marrë si kompensim Ministrinë e Arsimit, Transportit dhe Lidhjeve ose edhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Por mësohet se edhe Shëndetësia mund ti mbetet ASH-së dhe se në këtë detyre të emërohet Vullnet Ferati, mjeku i mirënjohur tetovar, i cili është i dalluar edhe për menaxhim.
Kreu i ASH-së, Ziadin Sela pritet që pas kthimit nga SHBA të ulet me Zaevin për të diskutuar dhe finalizuar plotësimin e kabinetit qeveritar. “Nuk ka diçka konkrete, por vlerësojmë se së shpejti do të zgjidhet kjo çështje, që tanimë po konsumohet si lajm nëpër media”, theksojnë nga ASH.
Nga kjo parti nuk duan të japin emra, por theksojnë se struktura e tyre partiake, duke përfshirë kryesinë dhe forumet e tjera ka emra të spikatura të ekspertëve që mund të drejtojnë çdo dikaster të kërkuar ministror.