Natën e së enjtes rreth orës 22.00, në Vjenë të Austrisë dy persona e kanë sulmuar një kosovar 33-vjeçar, në rrugën „Favoritenstrasse“. Dyshohet se viktima është goditur me grushte dhe ka pësuar lëndime të rënda me thikë. Dy orë pas transferimit të tij në spital, ai ka ndërruar jetë. Ndaj dy sulmuesve të panjohur është duke u hetuar për vrasje, thuhet në një komunikatë të policisë austriake gjatë të premtes, përcjellë „Shtegu.com“.
Paraditen e së premtes shumë pak ka pasur informata rreth viktimës, me përjashtim se bëhet fjalë për një shqiptar nga Kosova, pohon zëdhënësi i policisë, Paul Eidenberger. Ende mbetet e paqartë nëse ai ka banuar në Vjenë dhe nëse si armë sulmi ka qenë e përdorur thika dhe kjo do të jetë objekt studimi i obduksionit të kufomës.
Kosovari 33-vjeçar ka qenë në shoqëri me një grua 44-vjeçare duke ecur në këmbë. Papritmas drejt tyre kanë vrapuar dy persona të maskuar të cilët kanë filluar ta godasin kosovarin pa folur asnjë fjalë, ndërsa shoqëruesja e saj nuk është prekur fare dhe ka kaluar pa lëndime, ka pohuar një dëshmitare e rastit.
Gjatë sulmit, kosovari ka pësuar plagë të rënda në gjoks dhe ka tentuar të arratiset. Dyshohet se sulmuesit e kanë goditur deri në dhjetë herë me thikë. Ata e kanë ndjekur viktimën deri te udhëkryqi i rrugës „Favoritenstrasse“ me „Landgutgasse“ në Favoriten, e më pas janë larguar në drejtim të stacionit hekurudhor.
Gruaja menjëherë është përkujdesur për të plagosurin dhe e ka alarmuar policinë dhe ambulancën. Shqiptari 33-vjeçar është dërguar në spital, por nga mesnata ai ka ndërruar jetë.
Policia austriake është në kërkim të dy sulmuesve dhe kërkon ndihmë nga qytetarët. Sulmuesit përshkruhen të gjatë rreth 1.80 cm, që të dy kanë mbajtur kapela të zeza, ndërsa njëri ka qenë i veshur me pallto të zezë. Informatat mund të jepen në këtë numër telefoni 01-31310-33800 apo në çdo stacion policor më të afërt. (Shtegu.com)