Lexuesi shqiptar nga Maqedonia Enis M. disa herë është shpallur i vdekur nga letrat e Swisscomit zviceran. Të martën e kaluar, e ëma e tij e kishte hapur një letër dhe ishte mërzitur pa masë.
„Ne u njoftuam me vdekjen e Enis M. – ngushëllimet tona. Në pjesën e pasme të letrës mund ta gjeni listën e të gjitha faturave të papaguara të cilat duhet t`i shlyeni apo të na e tregoni korrekt personin kontaktues“. Kështu është shkruar në një letër të cilën për herë të parë, Enisi e kishte pranuar nga fillimi i muajit nëntor të këtij viti nga Swisscomi zviceran. Që atëherë, ai nga Swisscomi rregullisht është trajtuar si i vdekur, gjithsej tre herë.
Tek Swisscomi e pranojnë me zhgënjim gabimin, pasi një bashkëpunëtir i tyre e ka zëvendësuar statusin e Enisit me një të vdekur. „Në momentin që klienti u lajmërua tek ne për të sqaruar gabimin, informata e tij nuk është transferuar në mënyrë korrekte në sistemin tonë“, ka pohuar zëdhënësja Annina Merk për „20 Minuten“, përcjellë „Shtegu.com“. „Tani ne menjëherë e kemi korrigjuar gabimin dhe kërkojmë falje për këtë lëshim“, ka vazhduar më tej zëdhënësja.
„Se Swisscomi më informonte për vdekjen time, jam shokuar rëndë“, pohon Enisi. I shëndoshë si molla, pas pranimit të letrës së parë, ai është paraqitur në linjën kujdestare të Swisscomit. „Fillimisht bisedova me një agjente, e cila po më orientonte në repartin përkatës. Më pas është dashur të pres me durim të madh. Më në fund u paraqit një agjent të cilit ia sqarova situatën time“.
Agjenti i Swisscomit i ka kërkuar shqiptarit 24-vjeçar nga Maqedonia që të bëjë një foto nga letra dhe t`ia dërgojë atij. „Ai më tha se sigurisht bëhet fjalë për ndonjë gabim dhe në emër të Swisscomit më kërkoi falje. Gjithashtu më siguroi se në të ardhmen nuk do të bëhet një gabim i tillë“.
Enisi ia dërgoi kopjen e letrës, ndërsa si dëshmi e vetme ishte konfirmimi se mesazhi është pranuar dhe është transferuar në repartin përkatës, i cili sa më shpejt do ta përpunojë rastin, njofton „Shtegu.com“ më tej.
Me bindjen se rasti është përmirësuar, Enisi është qetësuar dukshëm. Por, pas pak kohësh ai e ka pranuar edhe një letër tjetër dhe të martën gjithashtu i ka ardhur edhe një tjetër letër në kutinë postare. Këtë të fundit e ka hapur e ëma e tij, pasi ai jeton së bashku me prindërit në të njëtën shtëpi.
„Për nënën ishte një shok i vërtetë“, rrëfen Enisi më tej. „Ajo më thërriti menjëherë, ndërsa unë e vërejta se sa ishte e pikëlluar me zërin e saj. E pyeta se çfarë ka ndodhur. Ajo më tregoi se më kishte ardhur një letër me të cilën ishte informuar për vdekjen time. Ishte shumë e mërzitur“.
E ëma e tij nuk mund t`ju besonte syve të saj se çfarë po lexonte nga letra. „Diçka të tillë nuk dëshiron asnjë nënë e aq më pak nëna ime“, thekson Enisi. Ai është tronditur nga ngjarja prekëse dhe rrëfen se pothujase shtatë vite është klient i rregullt i Swisscomit dhe rregullisht i paguan të gjitha faturat. Kjo që ka ndodhë me rastin e tij, është jashtë çdo kufiri të normales. „Të konfrontohesh me vdekjen në këtë mënyrë, vërtetë është tmerr. Swisscomi do të duhet ta shqyrtojë seriozisht rastin tim“, ka përfunduar Enisi. (Shtegu.com)