Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM një mundësi për kapërcimin e krizës politike e sheh përmes formimit të një qeverie kalimtare, e cila do të zgjidhte disa probleme kyçe dhe do t’i hapte rrugë zgjidhjeve duke tejkaluar ngërçin politik.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka lansuar idenë e një qeverie kalimtare, por duke mos dhënë detaje dhe duke paralajmëruar se ideja e tillë do të qartësohet më mirë nga mesi i fazës së publikimit të materialeve të përgjimeve.
Nga VMRO-DPMNE për gazetën “Sloboden Pecat” kanë hedhur poshtë një ide apo propozim të tillë, ndërsa BDI kanë thënë se janë të hapur për çdo opsion. Por kjo parti thekson se me rëndësi fillimisht është që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë dhe të marrë rolin e saj. Edhe ekspertët për çështje politike e kanë parë si sinjal pozitiv formimin e qeverisë kalimtare.INA