Qytetarët e BE-së kanë të drejtë të lëvizin lirisht në Bashkimin Evropian dhe të punojnë pa kufizime edhe në Gjermani.
Për udhëtimin në Gjermani ata nuk kanë nevojë për vizë, këtë lehtësi e gëzojnë edhe qytetarët që i përkasin hapësirës ekonomike evropiane dhe qytetarët e Zvicrës.
Për të huajt nga vendet e tjera ka disa rregulla që duhen respektuar.
Vende të treta të BE-së kategorizohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Këta qytetarë lejohen të punojnë në Gjermani vetëm po qe se kanë një leje të vlefshme qëndrimi dhe autoritetet e lejojnë punësimin.
Në Gjermani jepen katër lloj lejesh qëndrimi: Leja e kufizuar e qëndrimit, “Karta blu e BE-së” e kufizuar, leja e pakufizuar e qëndrimit dhe leja e qëndrimit të përhershëm në BE.
Një leje qëndrimi e merr vetëm nëse ke një pasaportë ende të vlefshme dhe nuk ka asnjë arsye tjetër që detyron kthimin e personit, si në rastin e personave që kanë kërkuar pa të drejtë azil dhe detyrohen të kthehen.
Po ashtu këta persona që duan leje qëndrimi duhet të vërtetojnë para autoriteteve se e kanë të siguruar jetesën në Gjermani.
Dikush duhet të provojë se ka një sasi të mjaftueshme parash në xhirollogari, ose një person tjetër bën për të garancinë financiare.
Sipas dw, kjo nënkupton se kush udhëton në Gjermani nuk ka të drejtë të marrë asistencë papunësie apo asistencë sociale.
Kjo e drejtë ekziston vetëm për qytetarët gjermanë apo qytetarë të tjerë e azilkërkues që kanë paguar për vite me radhë kuotat e sigurimeve shoqërore.
Përgjithësisht vlen: Sa më mirë i kualifikuar të jetë dikush dhe sa më mirë të flasë gjermanisht, aq më e thjeshtë është të marrësh në plan afatgjatë një leje qëndrimi dhe leje pune në Gjermani.
Për njerëz pa kualifikim apo shkollim është shumë e vështirë gjetja e punës në Gjermani.
Kush do të kërkojë punë në Gjermani mund të aplikojë për një vizë për kërkim pune, e cila ofrohet nga ambasada gjermane në vend apo konsullata përkatëse:
http://www.make-it-in-germany.com/de/fuer-fachkraefte/deutschland-kennenlernen/deutschland-vor-ort#c5049)
Po qe se qëndron në Gjermani me një vizë për kërkim pune, nuk ke të drejtë të punosh. Por, në momentin që e ke gjetur një punë, duhet të aplikosh për “Leje qëndrimi për qëllime pune”.
Për këtë nuk ke nevojë të largohesh nga Gjermania, këtë mund ta aplikosh edhe nga Gjermania.
Këtë lloj vize e merr sigurisht kur provon se mund ta sigurosh vetë jetesën. Kush ka ardhur në Gjermani mund t’i drejtohet ashtu si qytetarët gjermanë edhe Agjencisë Gjermane të Punës. Po ashtu në internet mund të kërkosh punë në platformat që ofrojnë vende pune si (xing.de)
Kush ka gjetur një punë duhet t’i nënshtrohet edhe të ashtuquajturit verifikim i prioritetit, që do të thotë se një vend pune e merr një qytetar nga vendet e treta nëse për të njëjtin vend pune nuk merret një qytetar gjerman apo ndokush nga vendet e BE-së.
Përjashtim bëhet këtu në rastin e super të kualifikuarve, si edhe për të ashtuquajturat profesione me mungesë fuqie punëtore.
Këto janë profesione, për të cilat në Gjermani ka shumë pak aplikantë, prandaj për këto profesione është hequr priorizimi.
Në Gjermani kërkohet fuqi punëtore sidomos në infermieri, artizanate të ndryshme, etj.
Në listë të profesioneve ku aktualisht ka nevojë për vende pune e gjeni në adresën:(http://www.make-it-in-germany.com/fileadmin/content/make-it-in-germany/PDF/positivliste_dt.pdf).
Kush ka gjetur një punë në Gjermani, e ka më të lehtë të marrë lejen e qëndrimit.
Por edhe këtu duhen plotësuar të gjitha kriteret, ndër to edhe leja nga Agjencia e Punës. Për studiuesit, njerëzit me kualifikim të lartë, forca drejtuese, specialistë kjo kërkesë bie.
Edhe të huajt që kanë përfunduar studimet në Gjermani nuk kanë nevojë për lejen e punës nga Agjencia e Punës, në rast se ata kanë gjetur një punë që u ofron 48.400 euro të ardhura bruto në vit.
Në këtë rast ata marrin “Kartën blu” të BE-së që jepet fillimisht për katër vjet. Në rrethana të caktuara për specialistët me kualifikim të lartë jepet drejtpërdrejt leja e pakufizuar e qëndrimit në Gjermani (DW).