Njëzet ditë më parë një grua nga Korça kishte sjellë në jetë një fëmijë në maternitetin e Tiranës, por sot ka ndërruar jetë sapo është paraqitur në spital.
Ngjarja e rëndë, ka ndodhur, ndërsa 20-vjeçarja kishte shkuar në spital pasi vuante nga tensioni i lartë.
20-vjeçarja kishte pasur një shtatzëni me probleme, ndërsa gjatë gjithë kohës vuante nga tensioni i lartë. Për këtë arsye një muaj më parë ajo u shtrua në maternitetin “Koço Gliozheni” në kryeqytet, ndërsa 20 ditë më parë solli në jetë fëmijën përmes një ndërhyrje kirurgjikale.
Por edhe pas lindjes, duket se ka pasur vazhdimisht probleme me tensionin. Edhe sot, siç konfirmojnë familjarët për “BalkanWeb” ajo është ndjerë keq dhe ka shkuar në spitalin e Korçës, ku ka ndërruar jetë menjëherë.
Familjarët jashtë kamerës pretendojnë se shkak i vdekjes ka qenë mjekimi i pakujdesshëm. Ndërkohë, trupi i së resë është dërguar pranë morgut të spitalit në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore, që mund të zbardhë edhe shkaqet e vdekjes së saj.