Dy persona janë lënduar rëndë njëri prej të cilëve është në rrezik për jetën dhe dëm material prej rreth 200 mijë denarë janë pasojat e aksidentit rrugor që mbrëmë rreth orës 1 pas mesnate ka ndodhur në rrethrrotullimin e bulevardeve “Ilindenska” dhe “Vidoe Smilevski Bato” në Tetovë.
Siç informoi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski A.K. (20) nga Treboshi ka humbur kontrollin mbi automjetin “Golf” me targa të Tetovës të cilin e ka drejtuar me ç’rast ka dalë nga rruga dhe ka goditur një shtyllë metali të ndriçimit rrugor.
Me këtë rasti ai dhe bashkudhëtari i tij shtatëmbëdhjetëvjeçar, gjithashtu, nga Treboshi kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe me automjetin e ndihmës së shpejtë janë dërguar në Spitalin klinik të Tetovës ku pas ofrimit të ndihmës së parë për shkak të seriozitetit të lëndimeve janë dërguar në klinikat e Shkupit ku janë ndaluar për mjekim të mëtejmë.
Sipas informacioneve të fundit drejtuesi i automjetit është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa bashkudhëtari është në rrezik për jetë.
Policia ka kryer ekspertizë dhe sipas të dhënave fillestare për aksidentin është shpejtësia e papërshtatshme gjegjësisht vozitja e shpejtë ndërsa dëmi i përgjithshëm material vlerësohet rreth 200 mijë denarë.