Lidhja e martesave në moshë të hershme është cilësuar nga UNDP si një problem global ku më së shumti pre e këtyre martesave janë vajzat, të cilat rrezikojnë shëndetin, ndërpresin arsimimin, shkruan Almakos.
Një problem i tillë ekziston edhe në Maqedoni.
Sipas të dhënave të Enti Shtetërorë për Statistikë që përfshijnë tre vjetët e fundit, numri i martesave në moshë të hershme është ulur, por një fenomen i tillë vazhdon ende të jetë prezent në Maqedoni, 22% tek romët, 6% tek shqiptarët dhe 2 % tek maqedonasit.
“Në vitin 2014 janë martuar 13 meshkuj dhe 163 femra të moshës nën 18 vjet. Në 2015 janë martuar 5 meshkuj, ndërsa 135 femra të moshës nën 18 vjet, ndërsa vitin e kaluar, nën moshën 18 vjeçare janë martuar 7 djem dhe 119 femra”-thonë nga Enti Shtetëror për Statistikë e Maqedonisë.
Neni 16 i Ligjit për familjen thotë se Gjykata kompetente mundet nëpërmjet një procedure të veçantë të lejojë martesën e personit qe ka mbushur 16 vjet vetëm nëse vërteton se personi ka arritur pjekuri trupore dhe shpirtërore për kryerjen e të drejtave dhe obligimeve që i sjell martesa, pas marrjes paraprake të mendimit nga Shtëpitë e Shëndetit dhe ndihmës profesionale të Qendrës për Punë Sociale.
Marjan Josifovski, nga SPB-Tetovë, thotë për Almakos se gjatë këtij viti deri tek ky institucion nuk ka pasur të paraqitura raste të tilla.
“ Gjatë këtij viti nuk kemi pasur të paraqitura raste të tilla, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar, deri tek ne janë paraqitur tre raste që të gjitha në territorin e Tetovës. Për këto raste janë ndërmarr hapat e nevojshëm ligjor, duke I kaluar në Prokurorinë Themelore në Tetovë”- tha për Almakos, Marjan Josifovski.
Në përgjithësi, numri i martesave të lidhura në tremujorin e dytë të këtij viti shënon rritje për 7.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë nga viti 2016, pra janë lidhur 3447 martesa, tregojnë të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistikë, pothuajse dyfish më shumë rritje në periudhën e njëjtë shënojnë edhe divorcet.
Lidhja e martesës më minoren paraqet vepër penale, sipas ligjit të Republikës së Maqedonisë, sipas nenit 197 të Ligjit Penal, ku për të rriturit që lidhin martesë me të mitur, parashihet dënim prej tre muaj deri në tre vjet. Sipas ligjit,dënim i njëjtë parashihet edhe për prindin e të miturit, i cili ka lejuar realizimin e një martese të tillë.
Përgatiti: Evi Shkopi