Nga Lidhjes Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) thonë se shporta sindikale minimale në nëntor ka arritur në 70.827 denarë, që është 469 denarë më shumë krahasuar me muajin e kaluar. Nëse llogariten edhe shpenzimet për qira banese, siç shtojnë ata, vlera e shportës kalon 90.000 denarë, duke vlerësuar se rritja e kostos së jetesës ul më tej standardin jetësor të qytetarëve.
Sipas partisë, vetëm për ushqim dhe pije një familje ka nevojë për rreth 26.000 denarë në muaj, ndërsa pagat nuk po e ndjekin rritjen e çmimeve.
Ata paralajmërojnë edhe shtrenjtësimet e njoftuara të energjisë elektrike dhe të ngrohjes që nga fillimi i vitit 2027, të cilat, sipas tyre, do ta rëndojnë edhe më shumë buxhetin familjar.
“Në vend të masave konkrete dhe zgjidhjeve për uljen e çmimeve dhe ndihmën për të prekurit, qeveria e Mickoskit nuk bën asgjë, qytetarët janë lënë vetë të përballen me kostot në rritje dhe me jetesën gjithnjë e më të vështirë”, thuhet në njoftimin e partisë.
Partia kritikon Qeverinë edhe për refuzimin e rritjes së pagës minimale në 600 euro, si dhe për mbështetjen e pamjaftueshme financiare për bujqit dhe studentët.
Sipas tyre, mjetet po shpenzohen për tenderë, në vend që të përdoren për përmirësimin e standardit të qytetarëve.
“Para ka vetëm për tenderë”, shtojnë ata.
Në reagimin e saj, LSDM prek edhe huamarrjen e shtetit, duke pretenduara se për dy vjet janë bërë katër miliardë euro borxhe, ndërsa për vitin 2027 njoftohen edhe dy miliardë euro të tjera, gjë që, sipas partisë, do të jetë barrë për gjeneratat e ardhshme.
“Pushteti i padrejtë i Mickoskit i varfëron qytetarët ndërsa u grumbullon borxhe të reja mbi kurrizin e gjeneratave të ardhshme. Katër miliardë euro për dy vjet dhe edhe dy miliardë euro borxhe të reja për vitin 2027 që po njoftohen”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.














