Është paradoksale kur tentohet t’u hidhet hi syve qytetarëve për gjëra që nuk kërkojnë shumë mend për t’u kuptuar.
Nuk e di ku dhe për çfarë jetojnë kryetarët komunalë.
Njëri hapte e mbyllte rrugë, tjetri i “zbukuronte”, ndërsa i fundit, prej një viti, ka nisur një rrugë dhe ende nuk e ka përfunduar, ndërkohë që mban takime për të prezantuar arritjet e vitit.
Struga i ka të qarta prioritetet: uji, kanalizimet, deponia, parkingjet, qentë endacakë dhe infrastruktura.
Komuna duhet të japë llogari për tenderët e ndarë, për paratë e shpenzuara, për borxhet e krijuara dhe për projektet e papërfunduara. Edhe kompanitë që kanë marrë përsipër realizimin e punëve publike duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që nuk kanë përmbushur.
Mjaft më me slogane boshe dhe me krekosje për arritje që nuk janë asgjë më shumë sesa detyrime bazike të një komune.
Qytetarët nuk kanë nevojë për prezantime të arritjeve.
Qytetarët kanë nevojë t’i shohin dhe t’i përjetojnë ato në jetën e përditshme.
Izbi Vinca- Kryetar i ASH-së në Strugë
14.11.2026














