Pedagogët ndërpresin mësimin në universitetet publike, në mbështetje të protestave studentore
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka marrë vendim për pezullimin e procesit mësimor në universitetet publike në të gjithë vendin, duke u rreshtuar në mbështetje të studentëve dhe nxënësve që prej disa muajsh protestojnë për një sërë çështjesh.
Vendimi u miratua në mënyrë unanime nga kryesia e SPUSH më 20 tetor dhe ka hyrë në fuqi më 21 tetor. Sindikata nuk ka përcaktuar një datë për përfundimin e bojkotit, duke bërë të ditur se ai do të vijojë deri në një vendim të ri.
Sipas SPUSH, protestat studentore kanë në qendër kërkesa që lidhen me arsimin, shëndetësinë, sigurinë e qytetarëve dhe rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Sindikata shprehet se situata është përshkallëzuar për shkak të mungesës së dialogut dhe rasteve të përdorimit të forcës ndaj protestuesve, veçanërisht pas 13 tetorit.
Për pedagogët, vijimi i mësimit në mënyrë normale nuk është i mundur në një kohë kur studentët e tyre ndodhen në protesta dhe përballen me dhunë. Ata deklarojnë se ndajnë shqetësimet e të rinjve edhe për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Në deklaratën e saj, SPUSH u kërkon institucioneve që të ndërpresin menjëherë përdorimin e dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë. Sindikata kërkon gjithashtu një hetim të pavarur dhe transparent për rastet e përdorimit të forcës, si dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për urdhërimin ose ushtrimin e dhunës.
Një tjetër kërkesë lidhet me studentët e shoqëruar nga policia, për të cilët SPUSH kërkon trajtim në përputhje me ligjin dhe me dinjitet. Sindikata kërkon që autoritetet t’i marrin seriozisht edhe kërkesat e të rinjve që po protestojnë.
SPUSH u ka bërë thirrje drejtuesve dhe rektorëve të universiteteve publike që të zbatojnë vendimin për bojkotin dhe të mos vendosin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në protesta.
Krahas bojkotit të mësimit, pedagogët pritet të marrin pjesë drejtpërdrejt në protestat në mbështetje të studentëve. Sipas njoftimit të sindikatës, ata do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës.
SPUSH ka sqaruar se ditët e mësimit të humbura gjatë bojkotit do të rikuperohen në një periudhë të mëvonshme. Ndërkohë, pedagogëve u është kërkuar të vijojnë komunikimin me studentët dhe t’u sigurojnë materialet e nevojshme mësimore.
Sindikata thekson se vendimi për ndërprerjen e mësimit nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi akademik, por synon të shprehë solidaritetin e pedagogëve me studentët dhe kërkesat e tyre. Sipas SPUSH, mësimi do të rifillojë pasi autoritetet t’u japin përgjigje shqetësimeve dhe kërkesave të ngritura nga protestuesit.














