NJPB Strugë ka paraqitur kallëzim penal ndaj R.M. (69), A.B. (40), të dy nga Struga, si dhe ndaj N.R. (57), mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë”. I kallëzuari R.M., ish-kryetar i Komunës së Strugës, gjatë mandatit të tij ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimin e tij zyrtar, në mënyrën që, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar leje ndërtimi për një parcelë kadastrale në fshatin Misleshevë të Strugës.
I kallëzuari i dytë dhe i tretë, në pozitën e këshilltarit në Sektorin për Urbanizëm, Veprimtari Komunale, Komunikacion dhe Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe ndihmësudhëheqësit në sektorin e njëjtë, paraprakisht e kanë përgatitur në mënyrë të kundërligjshme lejen dhe mbi bazën e dokumentacionit jo të plotë, pa e bashkëngjitur projektin ideor, leja është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.













