Mbyllja e shkollave, reduktimi i paraleleve, “optimizimi”, rritja e cilësisë dhe socializimi
Nën petkun e rritjes së cilësisë së arsimit, socializimit dhe “optimizimit”, u arsyetuan vendimet për mbylljen e shkollave dhe reduktimin e paraleleve.
Por çfarë ndodhi realisht?
Seanca e Këshillit të Komunës, në të cilën u votua mbyllja e disa shkollave, ende nuk është përmbyllur. Në këto rrethana lind pyetja: mbi çfarë baze juridike po zbatohen këto vendime?
Sa i përket reduktimit të paraleleve nga klasa II deri në klasën IX, ende nuk kemi përgjigje përfundimtare nga Ministria e Arsimit, ndërsa vazhdimi i seancës së Këshillit akoma nuk është thirrur. Pra, kemi një proces të paqartë dhe proceduralisht të papërfunduar.
Sipas gjithë kësaj, përfundimi është i rëndë, por i pashmangshëm: logjikisht dhe juridikisht, viti shkollor në shkollat fillore të Komunës së Strugës ka nisur pa një bazë të plotë ligjore dhe procedurale – pra, në mënyrë të paligjshme.
Ndërsa “optimizimi” përdoret si justifikim, ku mbeti cilësia? Si mund të flasim për rritjen e saj kur mësues dhe arsimtarë angazhohen të zhvillojnë lëndë jashtë profilit të tyre profesional?
Nëse “optimizimi” nënkupton mbylljen e shkollave, reduktimin e paraleleve dhe angazhimin e mësimdhënësve në lëndë për të cilat nuk kanë përgatitjen përkatëse, atëherë ku është rritja e cilësisë që u premtua?
Dhe mbi të gjitha: a ishte qëllimi real rritja e cilësisë, apo plotësimi i dëshirës së dikujt që prej kohësh kërkonte mbylljen e këtyre shkollave, pavarësisht pasojave për nxënësit, prindërit apo fshatrat?
Kur mungon një plan i qartë arsimor, procedurat ligjore mbeten pezull dhe zgjidhjet për kuadrin mësimor bëhen me improvizime, është e vështirë të besohet se pas gjithë kësaj qëndron rritja e cilësisë.
Fuqia politike mund të marrë vendime, por cilësia e arsimit nuk prodhohet me vendime politike!
Lidhja Shqiptare – Strugë













