Kryetari i BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komunës së Strugës për mbylljen e shkollave periferike në Bogovicë, Zhepin, Poum dhe Nerez.
Pollozhani e cilëson vendimin si diskriminues dhe ngre pikëpyetje mbi kriteret e përdorura nga Komuna për të arsyetuar mbylljen e këtyre shkollave.
“Pa informacion të plotë, pa asnjë analizë të qartë dhe me plot kontradikta nga ana e Komunës së Strugës, sot u soll vendimi për mbylljen e shkollave periferike në Bogovicë, Zhepin, Poum dhe Nerez”, shkruan Pollozhani.
Ai veçon rastin e Nerezit, duke theksuar se, sipas tij, aty nuk ka asnjë nxënës.
Në reagimin e tij, Pollozhani kundërshton argumentin se mbyllja e shkollave bëhet për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Sipas tij, të njëjtat rrethana ekzistojnë edhe në shkollat periferike të Lukovës dhe Piskupishtës, të cilat janë në kuadër të SHFK “Jabllanicë”, por që nuk janë përfshirë në vendimin për mbyllje.
“Nëse kriteri është numri i nxënësve, atëherë pse ky kriter nuk zbatohet njësoj për të gjithë?”, pyet Pollozhani.
Ai kërkon nga Komuna e Strugës sqarime konkrete mbi procesin e vendimmarrjes dhe kriteret e përdorura.
“Cilat janë kriteret e sakta? Kush e ka bërë këtë analizë dhe ku është ajo, në letër e në shifra? Dhe përsëri – pse të njëjtat kritere nuk zbatohen për të gjitha shkollat periferike?”, kërkon Pollozhani.
Sipas tij, çështja nuk duhet të trajtohet si një përplasje politike mes partive, por si një çështje që prek drejtpërdrejt vendbanimet dhe fëmijët.
Pollozhani shprehet se vendimi krijon përshtypjen se i ashtuquajturi “racionalizim” nuk po bëhet mbi bazën e kritereve të njëjta dhe nevojave reale.
“Sepse, nëse kriteret ndryshojnë nga një vendbanim në tjetrin, sipas dëshirës e interesit të kujt-di-çfarë, atëherë kjo nuk është racionalizim! Është standard i dyfishtë, është diskriminim! Dhe ne këtë nuk e pranojmë!”, përfundon kryetari i BDI-së në Strugë.
(Struga Ekspres)













