Një rast që po ngre pikëpyetje në Strugë lidhet me Gresën, aktiviste e VLEN-it, karateiste dhe kampione në karate, e cila ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në gara sportive.
Sipas familjarëve të saj, Gresa i kishte plotësuar kushtet për të qenë pjesë e shkollës për police dhe kishte shpresuar se do ta kalonte me sukses procesin e përzgjedhjes.
Por, sipas tyre, ajo ishte bindur se çështja ishte tashmë e zgjidhur.
Familjarët pretendojnë se gjatë periudhës së konkursit Gresës i është thënë: “Rri rahat, mos e vrit mendjen, e kryme është!”
Por pyetja që mbetet është: A ishte vërtet e kryer?
Sipas rrëfimit të familjarëve, në fund Gresa nuk u përzgjodh për të vazhduar rrugëtimin drejt shkollës për police, pavarësisht bindjes së krijuar se gjithçka ishte siguruar.
Rasti ngre një sërë pikëpyetjesh: Çfarë ndodhi realisht me konkursin? A u respektuan në mënyrë të barabartë kriteret për të gjithë kandidatët? Dhe pse një vajzë që, sipas familjarëve, i plotësonte kushtet, mbeti jashtë?
Familjarët kërkojnë përgjigje dhe sqarime për mënyrën se si është zhvilluar procesi, ndërsa mbetet e paqartë se kush e ka dhënë garancinë se vendi ishte “i kryer” dhe mbi çfarë baze është bërë një premtim i tillë.
Nëse këto pretendime vërtetohen, rasti do të hapte një debat serioz për ndikimin politik në konkurset publike dhe për mënyrën se si u jepen shpresa kandidatëve.
Deri në publikimin e dokumenteve dhe sqarimeve zyrtare, pretendimet mbeten të pakonfirmuara. Megjithatë, pyetja kryesore mbetet:
Kush i tha Gresës “rri rahat” dhe pse, në fund, ajo mbeti jashtë?













