Unesco apo justifikim? Paradoksi i Korridorit 8
Deklarata se segmenti Trebenisht – Qafë Thanë me shumë gjasë nuk do të realizohet si pjesë e Korridorit 8 për shkak të çështjeve që lidhen me Unesco, hap një dilemë serioze.
Sepse menjëherë lind një paradoks i qartë.
Nga njëra anë, fillojnë punimet për rikonstruksionin e Aeroportit të Ohrit një projekt shumë më afër zonave të mbrojtura. Nga ana tjetër, për Korridorin 8 thuhet se pengesë është Unesco.
Atëherë pyetja është legjitime: a janë marrë të gjitha lejet për aeroportin dhe pse aty nuk paraqet problem, ndërsa këtu përdoret si arsye?
Duhet të jemi të qartë: Unesco jep udhëzime, standarde dhe rekomandime për mbrojtjen e trashëgimisë. Por nuk është institucion që ndalon zhvillimin strategjik të një vendi. Vendimet përfundimtare i marrin institucionet tona.
Korridori 8 nuk është një projekt i zakonshëm. Ai është një korridor strategjik ndërkombëtar që lidh rajonin me rrjetin evropian të transportit dhe përbën një mundësi reale zhvillimi ekonomik për gjithë vendin, veçanërisht për Strugën.
Ky projekt nuk mund të relativizohet dhe as të zëvendësohet me “zgjidhje alternative”.
Madje, duhet theksuar qartë: Korridori 8 është pjesë e projekteve strategjike të sigurisë dhe infrastrukturës në rajon, i mbështetur dhe i harmonizuar edhe me interesat e NATO. Kjo e bën atë jo vetëm ekonomikisht të rëndësishëm, por edhe gjeopolitikisht të domosdoshëm. Projekte të tilla nuk ndërtohen rastësisht, por janë pjesë e vizionit afatgjatë për lidhjen dhe stabilitetin e rajonit.
Në fund, Komuna e Strugës ka thirrur një takim konsultativ më 31 mars. Ky nuk duhet të jetë një formalitet, por një moment vendimtar.
Qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë duhet të kërkojnë qartë realizimin e plotë të Korridorit 8 dhe të mos lejojnë që në këtë takim të jepen argumente në mbrojtje të ndryshimit të trases një ndryshim që cenon lidhjen më të mirë dhe interesin zhvillimor të Strugës.
Sepse Struga nuk ka nevojë për kompromis.
Struga ka nevojë për korridor.
Jeton Shaqiri













