Përkujtesë
Prof. Nebi Dervishi
Shëmbëlltyra e mësuesit pishtarë Sami Shehu (1911-1983)
Më 11 shkurt 2026 mbushen plot 115 vjet të lindjes të mësuesit pishtarë e model të zot. Sami Shehut!
E kam shumë të vështirë të përpiloi portretin e mësuesit pishtar, me rastin e 43 vjetorit të vdekjes dhe 115 vjetorit të lindjes të njeriut të urtë dhe shembullor siç që ishte zotri Samiu. Vdekja është gjë e natyrshme, por për ne që e njohëm për së afërmi dhe patëm fatin të jetojmë së bashku me mësuesin pishtar këto 43 vjetë më parë, pa të, na la një zbrazëti të madhe, por me shumë kujtime të paharruara. Ai na la trashëgim një veprimtari shumë fisnike e shembullore, mjeshtërinë e mësuesit, personazhin e të cilit do ta kujtojmë për herë me respekt e dashur dhe me të cilin do të krenohemi për gjithmonë .
Shëmbëlltura e mësuesit Sami Shehu pas vendosjes në Strugë 1947, së bashku me gjirokastritin Myfyt Synojmeri (shoku, miku, mësuesi i devotshëm, bashkëpunëtorit besnik, martirit të arsimit shqip)- bënë një punë të madhe. Këta dy patriotë, misionarë, punëtor të palodhur arsimor, ishin propagandues të palodhshëm gjatë mbledhjes së nxënësve të Strugës dhe të fshatrave përrreth në Shkollën shtatëvjeçare “Liria” në Strugë.
Kur përmendet emri i mësuesit Sami Shehu, kujtojmë njeriun, urtarin modest, mësuesin e qetë, të thjeshtë,.të njerzishëm, popullor e të afërm me njerëzit, me miqtë, me nxënësit-parimor, kujtojmë arsimtarin me kulturë të gjërë të paisur me ndjenja qytetare.
Ishte 11 shkurti i vitit 1983 kur në Strugë e më gjërë u përhap lajmi si vetëtima, se kishte ndërruar jetë Zotri Sami Shehu, pishtari i arsimit, një nga mjeshtrit model i mësuesit kombëtarë. Ai lajm ogurzi trishtoi pa pas jo vetëm familjarët, miqtë të afërmit, ish nxënësit, ish kolegët e punës, si dhe ato që e kishin njohur njeriun e urtë e gojë ëmbël, mjeshtrin e madh nga afër, por edhe gjithë popullin shqiptar në qytetet e Maqedonisë e më gjërë.
Po kush ishte Zotri Samiu, nga ç‘familje rridhte, ku ishte arsimuar, që të bëhej një kreator model i mësuesisë në trevat lindore shqiptare.
Sami Shehu, u lind në Dibër më 6 maj të vitit 1911. Rrjedh nga një familje e nderuar jo vetëm në Dibër, por edhe më gjërë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Medresen e Përgjithshme në Tiranë, në vitin 1937. Rreth një dekadë punoi mësues në rrethin e Dibrës, në Peshkopi, në Maqellarë e Kërçisht, kurse nga 1947 derisa u pensionua më 1973 punoi në Strugë, në Shkollën “Liria”, që nga viti 1959 do të quhet shkolla tetvjeçare, “Vëllezërit Milladinovci”.
Mësuesi i popullit, Sami Shehu, ishte personalitet me interesime të gjëra. Ai njihte për mrekulli kulturën orientale dhe oksidetale dhe ishte njohës i gjuhëve: anglisht, italisht, arabisht, frengjisht, persisht, osmanisht, etj, si dhe ishte lexues i pasionuar i veprave të shkrimtarëve dhe të filozofëve të shquar arabë, grekë, anglezë, e françes.
Mësuesi Sami rrezatonte urtësi, dritë, dituri, humanizëm (njerëzishmëri) në klasë, në konaqe, në takime, në tribuna, në kuvende e pleqni, ishte i matur, i kursyer në fjalë, i mprehtë, me shikim shigjetues, punëtor i palodhshëm dhe së bashku me një plejadë mësuesish të tjerë struganë mbollën farën e arsimit shqip nëpër disa mjedise të trevave lindore shqiptare. Dhe ajo farë mbiu, çeli lule, lulet lidhën kokrra që dhanë frytet e pritura.
Edhe, sot ish nxënësit dhe ish kolegët e tij evokojnë kujtimet për Zotri. Samiun, për punën dhe metodat që përdorte në organizimin e orës së mësimit.
Si sot ju kujtohet metodat që ushtronte para se të fillonte ora e mësimit, mësuesi Sami.
Mbrëmë jamë takuar dhe kamë biseduar me Naim Frashërin. Më tha: Ai, që s’do mëmëdhenë dhe kombin e vetë – e gjuhën, që fletë vetë, S’është njeri i vërtetë. Ata janë tradhëtorë. Janë faqezinjë e të gjorë… Biseduam për bukurinë e gjuhës shqipe: “Gjuha jonë sa e bukur sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë”. Mëndej më këshillonte me disa fjalë të urta: “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë”.
Ditën tjetër vazhdonte. Mbrëmë u takova me Sami Frashërin e ai më tha: Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij. Një shtet i qytetëruar, mbështetet në edukatën e gruas…. “ Kush nuk derdh një pikë gjaku për tokë të vet, kush nuk jep as një qindar për të. Ai s’ka të drejtë as të varroset në të….” Herave tjera thotë se kam takuar Çajupin, Mjedën, Gjergj Fishtën, Dante Aligerin, Petrarkën, Bajronin, Shekspirin. Duke u dhënë mesazhet e veprave të tyre.
Pos gjuhës shqipe ai jepte lëndët: kimi, fizik, biologji, etj. Kështu, mësuesi Sami përcillte mesazhet e shumë dijetarëve dhe shkencëtarëve tanë e të huaj. Fillimisht krijonte atmosferë pune, pastaj fillonte e spjegonte njësinë mësimore nga lënda përkatëse. Kjo ishte metoda e tij. Mësuesi Sami dinte t’i përballonte pengesat që i dilnin përpara, siç ishin mungesa e teksteve shkollore. Ai dinte ta mbushë këtë zbrazëti me punën e tij të palodhshme, duke përgatitur njësit mësimore, duke i mbledhur si disperca.
Qëllonte që Mësuesi ta gjente klasën duke bërë zhurmë. Por, ai dinte ta qetësonte menjëherë, qetësinë e joshte me shikimin e butë, të ëmbël, ledhatues e njerëzor. Për ta qetësuar klasën prej 40 nxënësish, mjaftonte që ta hidhte shikimin çapkën, që ishte i prirur t’i dëgjohej zëri. Shikimi ëngjëllor e ndalte në fytyrën e tij. Dhe nxënësit qetësohej. Me fjalët inkurajuese. Ledhatuese, mësuesi ynë zgjonte energjitë shpirtërore të fëmijëve, dëshirën për lojë – për përalla e ëndrra, për liri, dinte për ta vënë në lëvizje vrullin fëmijëror-dëshirat për t’i derdhur në aktivitete në shumë drejtime. Ai me metodën e vet të punës, jepte shembuj se si tejkalohen pengesat në jetë, se si shëndërrohen ëndërrat në diçka konkrete, të këndshme, të bukur, të dashur, të harmonishme, të ndritur.
Mësuesi Sami, u shëmbëllente filozofëve antikë, sofistëve, meqë vepronte pothuajse si ata, duke dialoguar, duke ligjëruara gojarisht në mjedise të ndryshme në oda, në ndeje, ne raste gëzimesh e mortesh, duke përhapurt idetë, dijen, duke dhënë mesazhe për çështje nga më të ndryshmet, për çështjet kombëtare, arsimore, familjare, educative, letrare, artistike, shkencore, e fetare.
Mësuesi Sami Shehu ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare në Strugë, me ç‘rast nga bashkëqytetarët, ish nxënësit, kolegët dhe miqtë organizua përcjellja madhështore për jetën e amshuar. Populli strugan e dibran u nda me dhimbje e nderime të mëdha nga biri i saj i devotshëm, andaj kujtimi për këtë pishtar arsimi, mësues e patriot vazhdon të mbetet i gjallë dhe i ndezur në zemrat jo vetëm të struganëve e dibranëve por edhe të të gjithë që patën fatin të shoqërohen dhe të mësojnë nga ky bir i madh i popullit tonë.
Një urtësi popullore thotë: “Njeriu vdes kur harrohet”. Zoti Sami nuk mund të harrohet, sepse fara e arsimit që mbolli me gjenerata të tëra, i dha frytet e punës që sot janë të pranishëm. Me qindra mësues e profesorë, mjek shkencëtarë të profileve të ndryshme, janë fryt i padiskutueshëm edhe punës së tij. Ky pishtar i arsimit shqip në Peshkopi, Dibër e Strugë e më gjërë- kujtohet në gëzime e në hidhërime, në dasma e në morte, për punën, për idealin që e përmbushi, për sakrificat, për tiparet intelektuale e shpirtërore, për shpirtin arsimues e liridashës si dhe për devotshmëri. Populli ynë liridashës, di t’i nderojë figurat e shquara të kombit e veçmas, ata të arsimit të vet, ndaj nuk thuhet kot, se populli që di t’i nderojë personalitetet e historisë e të kulturës së vet do të jetë i nderuar edhe nga të gjithë popujt tjerë. Arimtarët e ndjerë që dhanë gjithçka prej vetes, nuk janë kometë, që fiken shpejtë në qiellin e arsimit shqiptar, por janë yje që lëshojnë dritë; rreze, ngrohtësi, gjallëri e jetë –do të shprehej vite më parë Prof. i ndjerë Dr. Rahmi Tuda. Ata u shndërruan në yje, në saj të punës, të përpjekjeve dhe të sakrificave që bënë. Pikërisht për këtë është e nevojshme, ta analizojnë idelain e tyre, t’i sublimojmë sukseset, t’i ruajmë si vlera të rëndësishme, për t’ia bashkuar traditës së arsimit tonë të begatë dhe historisë së arsimit shqip të gjeografisë arsimore shiptare. Pushtetet e huaja, regjimet moniste janë treguar të pamëshirshëm ndaj kudarove arsimore, sidomos ndaj atyre që shquheshin me ide demokratike, patriotike e liridashëse. Si pasojë e diktaturave të egra shumë arsimtarë u bënë viktima të sistemit mizor. Po përmendim disa nga ata: Sefer Selimi, Sadudin Gjurra, Myfit Sinojmeri, akademik Femi Agani, Mr. Latif Berisha, Mr. Ukshin Hoti, e shumë patriotë të tjerë të vrarë gjatë luftrave të fundit në Kosovë, në luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.
Emri i Zot. Sami Shehu do të kujtohet për herë nga ne dhe nga gjeneratat që do të vinë, për shembullin e sakrificës së tij, për mesazhet e qarta, ndjenjat e çiltëra fisnike, humanizmin ëngjëllor e cila do të përcillet nga brezi në brez.
Lavdi emrit dhe veprës së shëmbëlltyrës e të pishtarit të arsimit shqip, z. Sami Shehut!.
Strugë, shkurt 2026













