Sali: Kërkesa e studentëve për shqipen ka bazë kushtetuese, i përkrahim maksimalisht
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 duke folur për kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, theksoi se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj, pasi ato duhet të zbatohen me automatizëm nga institucionet.
“Duhet të respektohet Kushtetuta dhe nuk duhet të futemi në çdo ligj, apo rregullore të institucioneve të ndryshme, ta shkruajmë gjithandej se duhet kjo për arsye se nëse në Kushtetutë është e shkruar diçka, gjithçka inkorporohet në praktikën e mëtutjeshme të institucioneve dhe do t’i qëndrojmë kësaj mbrapa. Studentët do ta kenë përkrahjen maksimalisht”, ka thënë Sali.
Çështja nuk është politike, por juridike
Zëvendëskryeministri Sali ka thënë se ka komunikuar me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, por se nga ana e tij nuk ka pasur mirëkuptim. Ai theksoi se kërkesa e studentëve ka bazë kushtetuese dhe se refuzimi nuk lidhet me mungesë argumentesh ligjore, por me mungesë vullneti.
“Unë kam pasur një komunikim me ministrin, për fat të keq nuk ka pasur mirëkuptim”, ka thënë mes tjerash zv/kryeministri Sali, duke shtuar se kjo nuk është çështje politike, por juridike dhe nuk kërkon negociata apo diskutime të gjata.













