Shkruan: Shiret Elezi
Propozim-Ligji për arsimin e lartë, i vendosur në sistemin elektronik ENER, si dhe Ligji për cilësinë në arsimin e lartë, cenojnë rëndë autonominë e universiteteve. Këto akte ligjore parashohin vendosjen e trupave shtesë në strukturën drejtuese të universiteteve, ku përveç Rektorit dhe Senatit krijohet edhe Këshilli i Universitetit, i cili do të ketë kompetenca për të çfuqizuar vendimet e Rektorit dhe Senatit, si dhe për të përcaktuar shpenzimet e lejuara për veprimtarinë universitare.
Ky Këshill do të ketë anëtarë të emëruar nga Qeveria, me propozim të Ministrit të Arsimit, çka përbën një përzierje të paprecedentë në autonominë universitare dhe një centralizim të rrezikshëm të vendimmarrjes.
Cenohet gjithashtu financimi i universiteteve publike, duke kufizuar shpenzimet që mund të mbulohen nga buxheti dhe duke vendosur përqindje të detyruara për përdorimin e mjeteve nga llogaria vetanake. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në pagat e stafit akademik, një pjesë e të cilave aktualisht sigurohen nga këto mjete.
Parashihet krijimi i një Këshilli Nacional, i cili do të përcaktojë shumën totale të financimit për secilin universitet, duke anashkaluar plotësisht Ligjin për Buxhetin dhe procedurat kushtetuese për ndarjen e mjeteve publike.
Cenohen procedurat e rekrutimit të stafit të ri akademik, nga asistentët dhe docentët deri te përzgjedhja e titujve më të lartë akademikë. Vendosen kritere të ngushta që favorizojnë vetëm publikimet në Web of Science, duke përjashtuar Scopus dhe revista me redaktim ndërkombëtar. Hiqen thirrjet shkencore të titulluara, duke rrezikuar uljen e cilësisë së stafit akademik dhe duke përjashtuar kuadro me përvojë të fituar në institucione vendore dhe ndërkombëtare, të cilët bartin know-how të vlefshëm për studentët.
Parashihet mbyllja e programeve studimore, si dhe bashkimi apo fuzionimi i universiteteve pa pëlqimin e organeve të brendshme universitare, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Njëkohësisht, rriten kompetencat e centralizuara të Ministrit të Arsimit dhe të Këshillit për Cilësi, i cili nuk siguron përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
U bëjmë thirrje të gjithë stafit akademik që të ngrenë zërin brenda njësive të tyre – në fakultete dhe universitete – sepse kjo çështje i prek të gjithë. Universiteti është tempulli i dijes, i ndërtuar me sakrificë, dhe kemi obligim moral ta ruajmë dhe ta ngrisim cilësinë e tij. Jo duke pamundësuar kuadro të reja akademike, jo përmes eksperimenteve ligjore dhe jo duke lejuar që përmes zgjatimeve administrative të pushtetit të cenohet autonomia universitare.













