Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në emisionin Top Tema në TV Telma, tha se marrëveshja e arritur dje për rritjen e pagave të administratorëve është marrëveshje historike që prek mbi 11 mijë të punësuar në administratë.
“Dje arritëm një marrëveshje historike për rritjen e pagave për administratën, nga e cila do të përfitojnë mbi 11.000 të punësuar në administratë. Për këtë rritje janë ndarë 10 milionë euro”.
Me marrëveshjen e arritur dje, pagat e administratorëve do të rritet për 40% në 3 vitet e ardhshme. Kjo, sipas ministrit Durmishi, dëshmon se mund të arrihen marrëveshje kur ka gatishmëri nga të dyja palët.
“Kjo dëshmon se dialogu ekonomik-social është i hapur dhe funksionon, si dhe mund të arrihen marrëveshje kur ka gatishmëri nga të dyja palët”.
Durmishi përsëriti gjithashtu se në mars rritet edhe paga minimale, sipas vlerësimeve të qeverisë me rritje prej rreth 1.500-2.000 denarë, ashtu siç e parashikon ligji.













